Zhvillohet Gjyqi Simulues i Gjykatës Europiane të Bashkimit Europian
Kolegji Universitar Bedër në bashkëpunim me Lëvizjen Europiane në Shqipëri (EMA) zhvilluan Gjyqin Simulues të Gjykatës Europiane të Bashkimit Europian.
Qëllimi i këtij gjyqi simulues ishte rritja e njohurive teorike dhe praktike të pjesëmarrësve mbi funksionimin e Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Europian si dhe përmirësimin e aftësive analitike dhe juridike të pjesëmarrësve.
Në gjyqin simulues, ku u trajtua një rast fiktiv në lidhje me të drejtat e refugjatëve dhe migrantëve bazuar në legjislacionin e BE-së, u përfshinë 17 studentë, duke marrë përsipër rolet përkatëse si Avokatë të Viktimës, Agjentë Qeveritarë, Avokati i Përgjithshëm, Gjyqtarë.
Përgjatë aktivitetit pjesëmarrësit vërejtën rregullat procedurale të seancave të GJED gjatë përgatitjes me shkrim, parashtrimit të argumenteve gojarisht, si dhe përgjigjet gjatë seancës. Trupa gjyqësore, pasi dëgjoi parashtrimet e avokatëve të viktimës dhe agjentëve qeveritarë mbi çështjen, vendosi ti japë palës statusin e refugjatit duke e bazuar vendimin përfundimtar jo vetëm në legjislacionin europian, por edhe praktikat e mëparshme të vetë gjykatës.
Në përmbyllje të aktivitetit u shpërndanë edhe katër certifikata për perfomancat më të mira, ku studentët u vlerësuan në bazë të disa kritereve si, përgatija dhe parashtrimi i argumenteve, por edhe mbi respektimin e procedurave dhe sjelljes përgjatë seancës.
Zhvillohet konferenca shkencore me titull: "Agjërimi dhe Njeriu
Zhvillohet konferenca a parë shkencore me titull: "Agjërimi dhe Njeriu (Ndikimi i agjërimit në jetën individuale dhe sociale të njeriut)", organizuar nga Instituti i Studimeve Islame "H. Sabri Koçi" në bashkëpunim me Departamentin e Shkencave Islame në Kolegjin Universitar “Bedër”.
Në ceremoninë e hapjes, e cila u zhvillua në sallën e konferencave, ishin të pranishëm Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, Pedagogu i Departamentit të Shkencave Islame në Bedër, z. Jamal al-Safarti, Nënkryetari i KMSH-së, z. Taulant Bica, akademikë të shumtë, studiues, myftij, imamë, si dhe një numër i konsiderueshëm studentësh.
Konferenca nisi punimet e saj me leximin e disa ajeteve Kuranore nga hafizi Enes Hyka, për të vijuar më pas me fjalën hapëse të nënkryetarit të KMSH-së, z. Bica, i cili falenderoi të pranishmit për pjesëmarrjen dhe të gjithë kontributorët në organizimin e kësaj konference, e para në llojin e saj.
Ndërsa Kryetari Spahiu, në përshëndetjen e rastit, u ndal në vlerat që mbart muaji i Ramazanit, për ne si besimtarë në veçanti por edhe për mbarë shoqërinë në përgjithësi.
Më tej, të pranishmit i përshëndeti edhe z. Safarti, Pedagog i Departamentit të Shkencave Islame në Bedër, i cili shprehu kënaqësinë e të qenit bashkëorganizator në këtë konferencë kaq domethënëse kushtuar muajit më të begatë për besimtarët.
Konferenca u zhvillua më tej në 3 sesione të ndryshme, në të cilat referuesit sollën në fokus aspekte nga më të ndryshmet të agjërimit, përmendim këtu: “Dobitë e agjërimit në planin shpirtëror dhe moral”, “Dimensioni social i agjërimit”, “Jurisprudenca e agjërimit”, “Ramazani dhe fëmijët”, “Aspekti shëndetësor i agjërimit”, “Gruaja myslimane Shqiptare në Ramazan”, “Agjërimi, parandaluesi i mëkateve”, etj.
Trajnimi i dytë në kuadër të projektit “Edukimi për Median dhe Informacionin për Mësuesit e Ardhshëm".
Kolegji Universitar Bedër në Bashkëpunim me Institutin Shqiptar të Medias organizuan trajnimin e radhës në kuadër të projektit “Edukimi për Median dhe Informacionin për Mësuesit e Ardhshëm”. E ftuar në këtë trajnim ishte Carolyn Jones, specialiste e programit Fulbright, e një karrierë të gjatë në gazetari dhe përvojë në edukimin mediatik, solli përvojën amerikane në fushën e edukimit për median dhe informacionin dhe zhvilloi një seancë trajnimi dhe bashkëbisedimi me pedagogët pjesëmarrës për mënyrat më të mira për të përfshirë studentët dhe të rinjtë në drejtim të edukimit mediatik. Gjatë trajnimit Carolyn Jones u ndal te sfidat kryesore në lidhje me dezinformimin në peizazhin mediatik në SHBA, duke prekur tema të tilla si dobësimi i besimit te mediat tradicionale, forcimi i teorive të konspiracionit dhe i personazheve që i përhapin ato në debatin publik, si dhe konteksti i zhvillimeve politike dhe si kanë ndikuar ato në besimin që ka publiku te media. Gjatë trajnimit vëmendje e veçantë iu kushtua edukimit për median dhe informacionin si një nga mënyrat më të mira për të rritur imunizimin e publikut ndaj çrregullimeve informative. Duke sjellë shembuj të ushtrimeve dhe qasjeve konkrete me studentët në shkolla në lidhje me këtë temë, trajnerja ilustroi disa metoda që mund të përdoren në mënyrë që studentët të hyjnë në brendësi të gjithë zinxhirit të prodhimit të lajmeve, një njohuri që me sa duket është gjithnjë e më e rrezikuar. Trajnimi u mbyll me një diskutim me pedagogët për sfidat e arsimit në vend, por edhe në kontekstin global, sidomos në kuadrin e ndryshimeve teknologjike dhe prirjeve të çrregullimeve informative. Ky trajnim është pjesë e projektit “Edukimi për Median dhe Informacionin për Mësuesit e Ardhshëm,” të zbatuar nga Instituti Shqiptar i Medias, me mbështetjen financiare të Zyrës së Marrëdhënieve me Publikun të Ambasadës Amerikane në Shqipëri.
Trajnimi i parë në kuadër të projektit “Edukimi për Median dhe Informacionin për Mësuesit e Ardhshëm”.
Në kuadër të memorandumit të mirëkuptimit të nënshkruar mes Kolegjit Universitar Bedër dhe Institutit Shqiptar të Medias u zhvillua trajnimi i pare i projektit “Edukimi për Median dhe Informacionin për Mësuesit e Ardhshëm”. Erlis Çela, profesor i gazetarisë dhe komunikimit, u ndal te koncepti i edukimit për median dhe informacionin dhe përse studentët duhen edukuar në këtë aspekt. Gjatë trajnimit ai u ndal te çrregullimet informative dhe mënyrat e ndryshme se si t’i njohim dhe si t’i shmangim ato, por edhe në ndikimin që manipulimi i informacionit ka në shoqëri Trajnimi vijoi me Emirjon Senja, redaktor dhe profesor i gazetarisë, i cili preku anën më praktike të identifikimit të çrregullimeve informative në rrjet. Ai u përqendrua te roli i rrjeteve sociale në prodhimin dhe shpërndarjen e informacionit, por edhe të dezinformimit. Duke sjellë shembuj konkretë të manipulimit të informacionit, ai diskutoi me pedagogët mënyrat dhe mjetet e ndryshme që na vijnë në ndihmë për të identifikuar anomalitë në informacion. Së bashku me pedagogët e pranishëm, u diskutuan raste të ndryshme të mësimdhënies apo diskutimit në lidhje me edukimin mediatik me studentët, duke nënvizuar që përveç studimit të lëndës, edhe qasja ndaj studentëve në lidhje me këtë temë është po aq e rëndësishme. Gjithashtu u diskutua edhe për rolin e inteligjencës artificiale, monitorimin e transparencës së faqeve dhe reklamave në Facebook, por edhe fenomene të tilla si trolls-et, bot-et, etj, sidomos në kuadrin e fushatave zgjedhore. Ky trajnim është pjesë e projektit “Edukimi për Median dhe Informacionin për Mësuesit e Ardhshëm,” të zbatuar nga Instituti Shqiptar i Medias, me mbështetjen financiare të Zyrës së Marrëdhënieve me Publikun të Ambasadës Amerikane në Shqipëri.