Kryetari i organizatës “Educators Without Borders International” zhvillon vizitë në Bedër
Kryetari i organizatës “Educators Without Borders International” me seli në Gjenevë, Dr. Mohammed Alobeidli dhe Profesori i Shkencave Politike në Universitetin e Kajros, Dr. Nasr Arif zhvilluan një vizitë pune në Kolegjin Universitar “Bedër”.
Gjatë takimit, kryetari i bordit të administrimit, Dr. Ali Zaimi i falënderoi miqtë për mbështetjen me bursa për studentët tanë.
Gjithashtu, Dr. Zaimi i informoi ata mbi veprimtarinë akademike e arsimore të universitetit.
Mbledhja vijoi me diskutime konkrete mbi intensifikimin e marrëdhënieve mes institucioneve në fushën e aktiviteteve akademike, kërkimit shkencor, trajnimeve dhe shkëmbimit të eksperiencave mes pedagogëve dhe studentëve.
Dr. Alobeidli shprehu gadishmërinë për të vijuar mbështetjen ndaj KU Bedër në funksion të rritjes së cilësisë dhe përmirësimit të vazhdueshëm të infrastrukturës së nevojshme.
Së bashku me dekanin e studentëve z. Surja Shehi, ata shqyrtuan aplikimet për bursat e Meritës, që tashmë janë kthyer në traditë për KU Bedër.
Miqtë nga Emiratet e Bashkuara Arabe do të takojnë sot rektorin, Prof. Dr. Gjergj Sinani dhe antarë të tjerë të stafit.
Dita Ndërkombëtare e Filozofisë në Bedër
E Enjtja e tretë e Nëntorit është Dita Ndërkombëtare e Filozofisë. Bazuar në rëndësinë e kësaj disipline në formimin njerëzor, UNESCO e shpalli këtë ditë si të tillë në vitin 2002. Me rastin e kësaj dite Kolegji Universitar “Bedër” organizoi një panel diskutimi rreth filozofisë.
Fjalën e hapjes e mbajti Dekani i Fakultetit të Shkencave Humane dhe Drejtësisë, Prof. Asoc. Dr. Rahim Ombashi.
“Në shpirt, ku strehohet shpresa dhe arkivohet dashuria, sipas Platonit, dallohen tri pjesë: logjika, shpirtërorja dhe e dëshirueshmja. Përkojnë me tri virtyte: diturinë, guximin dhe urtësinë, secila prej tyre korrespondon me një pjesë të shpirtit”, citoi profesori.
Rektori, Prof. Dr. Gjergj Sinani referoi kumtesën “Pa filozofi nuk ka një shoqëri të drejtë dhe të denjë”.
“Themeli i filozofisë nuk ka nevojë të kërkohet larg. Ai ndodhet në faktin më të thjeshtë që Sokrati dhe Dekarti e kanë shprehur sipas mënyrës së tyre, kur i pari tha: “Njih vetveten” dhe i dyti: “Unë mendoj, pra unë jam”, u shpreh prof. Sinani.
Të pranishëm në diskutim ishin anëtarë të stafit dhe studentë të cilët drejtuan pyetje, ndanë pikëpamjet e tyre rreth filozofisë dhe diskutuan rreth kumtesës së vyer, që referoi rektori.