Edi Oga: Televizioni, diçka e bukur dhe spektakolare
Eksperti i komunikimit dhe gazetari Edi Oga ishte i ftuar në Kolegjin Universitar Bedër, në kuadër të ciklit të seminareve "MarCom". Në takimin me studentët e Departamentit të Shkencave të Komunikimit, ai foli në lidhje me eksperiencën e tij, ku vuri theksin mbi mënyrat e komunikimit në ambientet e televizionit.
Më tej theksoi se televizioni është mjeti më i mirë për të arritur disa qëllime që do t’i vlenin kombit, duke marrë shembull televizionin italian, i cili kultivoi shijet e teleshikuesve dhe u bë një model edhe për televizionin shqiptar.
“Televizioni është diçka e bukur, spektakolare dhe aftësia kryesore që vlen për t’u bërë pjesë e një televizioni është të qenit entuziast”, shtoi ndër të tjera z. Oga.
Në fund të takimit u shpreh rëndësia që kanë lajmet e mira për edukimin dhe kultivimin e shijeve të audiencës, ndërkohë që z. ai inkurajoi studentët që të vazhdojnë në rrugën e televizionit, duke përcjellë mesazhe pozitive dhe me vlerë për shoqërinë.
Zhvillohet konkursi: “Të kërcejmë mes valleve dhe melodive popullore shqiptare”
Në kuadër të fushatës “Ruaj Traditën, Festo Shqip”, studentët e vitit të dytë master në profilin Marrëdhënie me Publikun realizuan konkursin me temë: “Të kërcejmë mes valleve dhe melodive popullore shqiptare”.
Konkursi u hap me valltarët e ansamblit Trad Folk, ansambël i drejtuar nga koreografi Bujar Gorenca, pjesëmarrës në shumë koncerte kombëtare dhe ndërkombëtare, të cilët sollën një kolazh vallesh që përshkonte trojet shqiptare nga jugu në veri.
Grupi artistik i shkollës “Isa Boletini” konkurroi me vallen e Rrajcës dhe vallen e Tropojës. Lindita Kaimi dhe Ansambli Alba i drejtuar prej saj, sollën vallen e Tiranës dhe një valle me motive Veriu.
Gjimnazi “Besnik Hidri” solli pak hijeshi Tropoje, me një valle të kësaj treve. Ndër të tjera ansambli "Folk Alb", i drejtuar nga koreografi Avni Ndreu, kishte përgatitur valle që nga Çamëria deri në Rugovë. Konkursin e valleve e mbylli grupi "Zumba with Fatilda", grup i cili zbukuroi sallën duke shëtitur përmes valleve nga Tropoja në Çamëri.
Në përfundim të konkursit "Të kërcejmë mes valleve dhe melodive popullore shqiptare" u ndanë disa çmime, të ofruara nga sponsorët e këtij aktiviteti të studentëve të Kolegjit Universitar Bedër, të cilët ishin: Kinema Cineplexx, Agjencia Turstike “Magic M Travel”, Studio “Besnik Ramaj Photography”, “Infinit Gifts”, “Creative Event”, “Kamela”, “Auto Bebi”, “New Media Communications”, “Index”, “Creative Event”, etj.
Ndërkohë juria ishte e përbërë nga Genc Kastrati, koreograf pranë Ansamblit Kombëtar, Isida Mollaymeri, balerinë e Teatrit të Operas dhe Baletit, si dhe Liljana Cingu, valltare e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore.
Simpoziumi i VII Akademik Ndërfetar “Maria/Merjemi, si simbol i virtytit dhe i devotshmërisë”
Simpoziumi i VII-të Ndërfetar në fushën akademike, vjen tashmë si një traditë bashkëpunimi ndërfetar midis përfaqësuesve universitarë të tre shkollave të larta akademike teologjike në Shqipëri, Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar “Bedër”, Akademia Teologjike Ortodokse “Ngjallja e Krishtit”, Shën Vlash, Durrës dhe Instituti Teologjik Katolik në Seminarin Ndërdioqezian “Zonja e Këshillit të Mirë”, ku mblodhi së bashku drejtues, lektorë, studentë dhe përfaqësues të tre institucioneve arsimore.
Fillimisht simpoziumin e ka përshëndetur, Prof. Asoc. Dr. Rahim Ombashi, Dekan i Fakultetit të Shkencave Humane, Bedër, i cili e ka lidhur figurën e Hz. Merjemit/Marisë me trashëgiminë tonë kombëtare në fushën e kulturës dhe të letërsisë për rolin e gruas dhe me gjerë.
“Na ka thirrur në këtë tubim akademik ndërfetar nevoja e përhershme për të komunikuar mes vedi për gruan si simbolikë apo për simbolin grua, sepse ndiejmë nevojën të kuptojmë misterin grua në besimet monoteiste, përcjellë dhe në jetën fizike”, tha ndër të tjera prof. Ombashi.
Më pas në simpoziumin e moderuar nga Dr. Genti Kruja, kanë mbajtur referimet dhe kumtesat e tyre përfaqësues nga tre shkollat e larta teologjike, Z. Dhimitër Qosja nga Akademia Teologjike Ortodokse, Shën Vlash, Durrës, Znj. Mimoza Jaku nga Instituti Teologjik Katolik (Seminari Ndërdioqezian), Shkodër dhe Znj. Lorela Shehu nga Departamenti i Shkencave Islame, Bedër, të cilët e kanë trajtuar figurën madhështore të Marisë/Merjemit në këndvështrimin e krishterë dhe islam, si një model frymëzues të virtytit, devotshmërisë dhe besimit shembullor ndaj Zotit, si Krijues dhe i Gjithëpishtetshëm.
Në mbyllje janë zhvilluar pyetje dhe diskutime nga pedagogë dhe studentë të tre teologjive rreth temës së simpoziumit.