Studentët e programit të Drejtësisë përfaqësojnë Shqipërinë në Nuremberg
Studentët e programit të Drejtësisë në Kolegjin Universitar Bedër përfaqësojnë Shqipërinë për herë të parë në Konkursin e së Drejtës Ndërkombëtare Penale, i cili zhvillohet në Nuremberg të Gjermanisë.
Konkursi organizohet nga Akademia e Parimeve Ndërkombëtare të Nurembergut dhe Njësia Kërkimore e së Drejtës Ndërkombëtare Penale në Nuremberg. Studentët Erisa Datja, Inisa Sota, Ledina Shabani dhe Thoma Kristo, së bashku me lektoren Ermira Bushi, përbëjnë ekipin përfaqësues të KU Bedër.
Konkursi i simulimit gjyqësor të Gjykatës Ndërkombëtare Penale do të zhvillohet në datat 24-27 korrik 2019 në Nuremberg, Gjermani. Ky organizim 4-ditor konsiston në një program intensiv arsimor dhe social, duke mbledhur së bashku studentë nga 60 universitete të ndryshme nga e gjithë bota, për të zhvilluar aftësitë e tyre si avokatë të ardhshëm ndërkombëtarë.
Konkursi përfshin bashkëpunimin me gjyqtarë nga Gjykata Ndërkombëtare, profesorë të së drejtës ndërkombëtare (penale) dhe profesionistë të tjerë ligjorë. Ky rrjet e bën kompeticionin një simulim real të seancave që zhvillohen në Gjykatën Ndërkombëtare Penale. Çështjet e konkursit i drejtohen çështjeve themelore të së Drejtës Penale Ndërkombëtare, si substanciale ashtu dhe procedurale.
Ky është i disati konkurs ndërkombëtar që studentët e Kolegjit Universitar Bedër përfaqësojnë Shqipërinë. Për vite me radhë ata janë përfaqësues të vendit tonë në Konkursin Ndërkombëtar të Jessup, si dhe në atë të Hagës.
I urojmë suksese studentëve tanë!
Ceremonia e Diplomimit 2019
Kolegji Universitar Bedër diplomoi brezin e gjashtë të studentëve, në një ceremoni të organizuar në Amfiteatrin e Liqenit të Tiranës. Tashmë kur janë mbushur tetë vite që nga themelimi, Bedër nxjerr në tregun e punës rreth 260 specialistë të rinj në fushën e Drejtësisë, Komunikimit, Shkencave Islame, Gjuhës dhe Letërsisë Angleze si dhe në fushën e Edukimit.
Me pjesëmarrjen e shumë personaliteteve, akademikëve, studentëve dhe qindra të afërmve, ceremonia u hap me fjalën përshëndetëse të rektorit të Kolegjit Universitar Bedër, Prof. Dr. Ferdinad Gjana, i cili përgëzoi studentët për suksesin e arritur, duke i inkurajuar ata që të përpiqen vazhdimisht në rrugën e dijes dhe duke përballuar çdo sfidë të jetës.
“Vijmë në këtë ditë, ku gjithësekush do të nisë një universitet të ri. Ai universitet quhet “Universiteti i jetës”. Jeta është një universitet që s’mbaron. Jeta është një universitet me plot sfida, me plot vështirësi, me plot momente të suksesshme, por edhe me deshtime.
Dhe ne përgjatë procesit disavjeçar, që përpiqemi të realizojmë si institucion, është që tju përgatisim për këto sfida. Përpjekja për t’ju pajisur jo vetëm në dimensionin akademik, por edhe në dimensionin njerëzor, si dhe në realitetin që një të ri do ta presë, sepse shumë gjëra njeriu i shikon me kalimin e viteve, me kalimin e jetës”, theksoi Prof. Gjana.
Në ceremoni mbajtën fjalën edhe Kryetari i KMSH-së Bujar Spahiu si dhe biznesmeni Artan Dulaku të cilët dhanë mesazhe urimi dhe motivimi për studentët duke i përgëzuar për arritjet e tyre.
Gjithashtu, të pranishëm ishin kryetari i Bordit të Fondacionit Hafiz Ali Korca, z. Skënder Brucaj si dhe Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, z. Bujar Leskaj i cili ndau certifikatat për studentët ekselentë.
Studentët me rezultatet më të larta, Kevin Shehu dhe Gentian Grabova mbajtën fjalën e tyre përshëndetëse në emër të të gjithë studentëve duke u mbështetur tek vlerat që ata gjetën në Bedër.
Gjatë fjalës së tij, Kevin Shehu kujtoi se çfarë e shtyu të studionte në Bedër. “Tre vite më parë ndërsa të gjithë universitetet prezantonin slloganet e tyre "të jesh më i miri", "të jesh i pari", "më i sukseshmi" etj., Kolegji Universitar Bedër tërhoqi vëmendjen time me slloganin “në emër të vlerave”. Kjo më bëri të mendoj se nëse universitetet e tjerë janë për t’i mësuar njerëzve nuhatjen e suksesit personal dhe mirëqenies ekonomike, kuptova se Bedri është një portë ku i mëson brezit të ri të studiojnë dhe të ecin në emër të vlerave.”- shtoi ndër të tjeta Kevin.
Ndërkohë studenti Gentian Grabova falënderoi dhe vlerësoi “garantuesit” e vlerave që gjeti në Bedër. “Më lejoni të falënderoj guardianet e kësaj strukture vlerash e parimesh, të ngritur mbi nje bazë të shëndoshe meritokracie, meritokraci qe mbikëqyret me fanatizëm nga hierarkia e Universitetit Bedër, që nga rektorati, udhëheqesit e departamenteve, dekanati e me radhë. Iu bashkangjita komunitetit studentor të Bedër, në emër të vlerave, dhe si nje student qe ua di rëndesine këtyre vlerave nga eksperienca ime e mëparshme në perendim, ju falënderoj nga zemra për ato që ofruat e vazhdoni të ofroni”- tha ai.
Në fund, të gjithë studentët e diplomuar në programet bachelor dhe master u ngjitën në skenë për të hedhur kapelet e diplomimit duke përmbushur me sukses rrugëtimin e tyre në Bedër.
Kolegji Universitar Bedër uron të gjithë të diplomuarit suksese në jëtën e tyre post universitare dhe i siguron se do të jetë një mbështetje e përhershmë në rrugën e tyre të jetës.
Studentët e Marrëdhënie Publike dhe Komunikim Marketingut vizitë në Kosovë
Studentët e viti të parë të programit Bachelor në Marrëdhënie Publike dhe Komunikim Marketingu në Kolegjin Universitar “Bedër”, zhvilluan një vizitë studimore njëditore në Kosovë.
Nën udhëheqjen e Përgjegjësit të Departamentit të Shkencave të Komunikimit, Dr. Erlis Çela dhe lektores së lëndëve të marketingut, Dr. Edlira Mali, studentët vizituan agjencinë e marketingut “Karrota”, monumentin “NEWBORN” dhe Kolegjin AAB në Prishtinë.
Vizita e parë u bë në agjencinë e marketingut “Karrota”. Gjatë vizitës, ata u pritën nga themeluesi i agjencisë z. Fisnik Ismajli, i cili i njohu më shumë me agjencinë dhe me marketingun në Kosovë. Ismajli iu prezantoi studentëve procesin e fushatave të marketingut që nis me procesin kreativ dhe vazhdon me ideimin dhe zbatimin. Ai shpjegoi se si targetohen audiencat, cilat gabime bëhen më së shumti gjatë procesit, dhe se si mund të bëhet marketing me pak shpenzime, duke sjellë shembull konkret nga agjencia “Karrota” me fushatën “Duaje tënden”. Diskutimet vijuan në përparësitë dhe problemet që karakterizohet sot marketingu dhe kryesisht fusha e reklamës.
Më tej studentët vizituan monumentin “NEËBORN”, ku z. Fisnik Ismajli, iu rrëfeu studentëve ideimin, historinë, domethënien dhe transformimin e këtij monumenti nga viti në vit.
Së fundmi, studentët vizituan Kolegjin AAB në Prishtinë. Gjatë kësaj vizite studentët u shoqëruan nga Zv/Rektori për Shkencë në Kolegjin AAB, Hasan Saliu dhe Zv/Rektorja për Marrëdhënie Ndërkombëtare, Venera Llunji.
Studentët vizituan ambientet e Kolegjit AAB; teatrin, bibliotekat, ambientet çlodhëse dhe sportive. Më tej ata morën informacione mbi sistemin arsimor universitar në Kosovë, dhe diskutuan për mundësitë e programeve të shkëmbimit.
Ndërkohë Kolegji Universitar “Bedër” dhe Kolegji AAB në Prishtinë janë partnerë bashkëpunimi, kanë organizuar herë pas here konferenca të përbashkëta shkencore, si dhe aktivitete të tjera.
Zhvillohet konferenca studentore në Drejtësi
Departamenti i Drejtësisë në Kolegjin Universitar Bedër, në bashkëpunim me klubin studentor “Bedër Law Students Association”, zhvilluan konferencën e 5-të studentore me temë: “Shqipëria nën Ndërveprimin e Ligjit, Shoqërisë dhe Politikës”.
Punimet e kësaj konferencë u përshëndetën nga dekani i Fakultetit të Shkencave Humane, Prof. Asoc. Rrahim Ombashi dhe nga Z. Enkelejd Alibeaj. Në fjalën e tij, Z. Alibeaj vlerësoi iniciativën e të rinjve në organizimin e një eventi të tillë shkencor në rang studentor. Sipas tij, elementët ligj, shoqëri dhe politikë dhe raporti korrekt mes tyre, kanë një rëndësi vendimtare për mirëfunksionimin e një vendi. Konferenca, gjithashtu u përshëndet nga Znj. Ermira Shkreta, përfaqësuese e Departamentit të Drejtësisë dhe nga Thoma Kristo, zv. President i klubit studentor “Beder Law Students Association”.
Me pjesëmarrjen e rreth 19 studentëve nga cikli i parë dhe i dytë i studimeve, punimet trajtonin tema të ndryshme aktuale, të cilat përbëjnë sot thelbin e debatit në drejtësinë shqiptare.
Konferenca u zhvillua në 2 sesione, ku në çdo sesion referuesit paraqitën punimet e tyre që u vlerësuan me certifikata nga juria e përbërë nga pedagogë të universitetit.
Përpos certifikatave, 3 punimet më të mira u vlerësuan edhe me çmime të tjera.
1. Erisa Datja & Ledina Shabani, me temën ‘Reforma në drejtësi, parakusht për hapjen e negociatave’’ ishin fitueset e çmimit të parë.
2. Kristela Nikolla, me temën “Privatësia dhe mbrojtja e të dhënave personale’’ u vlerësua me çmimin e dytë.
3. Fituesja e çmimit të tretë ishte studentja Jona Kaso, me temën: “Cënimi i të drejtës për informim kur bëhet fjalë për sekretet shtetërore’’.
Risi e kësaj konference këtë vit ishte pjesëmarrja e disa studentëve të drejtësisë nga universitete në SHBA.
Studentët e Drejtësisë në Bedër përfaqësojnë Shqipëri në Hagë
Studentët e Universitetit Bedër përfaqësojnë Shqipërinë në Gjykatën Ndërkombëtare Penale në Hagë.
Studentët e Drejtësisë të Kolegjit Universitar Bedër përfaqësojnë Shqipërinë për herë të 5-të, në Gjyqin Imitues të organizuar nga Universiteti i Leiden, Holland në partneritet me Gjykatën Ndërkombëtare Penale "ICC" dhe Shoqata Ndërkombëtare e Avokatisë "IBA".
Studentet Anxhela Buzi, Elida Mëhalla, Fioralba Markja, Monika Kanaçi dhe Olivja Belishaku me pedagogun Dr. Nertil Bërdufi përbëjnë ekipin garues në këtë konkurs ndërkombëtar.
ICCMCC u përshëndet nga Prof. Carsten Stahn, Universiteti i Leiden; Prof. Michael Scharf nga CWR University, z. Joe Bell nga IBA dhe Gjyqtarja e GJNP Kimberly Prost.
Konkursi i simulimit gjyqësor të Gjykatës Ndërkombëtare Penale do të zhvillohet në datat 2 - 7 qershor, 2019 në Hagë, Holandë. Ky konkurs mirëpret universitete nga e gjithë bota, për një nivel të lartë të debatit, duke simuluar punimet e Gjykatës Ndërkombëtare Penale. Konkursi konsiston në një program të ngjeshur arsimor dhe social, prej gjashtë ditësh, duke sjellë së bashku studentë me prejardhje dhe kultura të ndryshme në Hagë, për të sfiduar aftësitë e tyre si avokatë të ardhshëm ndërkombëtarë.
Raundi përfundimtar pritet të zhvillohet në një sallë gjyqi aktuale me trup gjykues konkret të Gjykatës Ndërkombëtare Penale.
Konkursi përfshin bashkëpunimin me gjyqtarë nga gjykata ndërkombëtare, profesorë të së drejtës ndërkombëtare (penale) dhe profesionistë të tjerë ligjorë. Ky rrjet e bën konkursin një simulim real të seancave që zhvillohen në Gjykatën Ndërkombëtare Penale. Çështjet e konkursit i drejtohen çështjeve themelore të së Drejtës Penale Ndërkombëtare si procedurale ashtu dhe substanciale.
70 ekipe nga 55 vende të ndryshme të botës janë regjistruar në edicionin e vitit 2019 në konkursin e simulimit gjyqësor të Gjykatës Ndërkombëtare Penale. Për herë të parë merr pjesë edhe një ekip përfaqësues nga Rusia.
Mbështetja e studentëve në aktivitete brenda dhe jashtë vendit dhe aftësimi i tyre për të garuar me kolegët e tyre në gjithë botën, është një nga prioritetet kryesore që ka Universiteti Bedër.