Përmbyllet me sukses Instituti i Lirisë Fetare dhe Demokracisë
Instituti i Lirisë Fetare dhe Demokracisë përmbylli sot programin 3 ditor të trajnimit me studentë nga 8 univesitete të ndryshme në vend.
Në ditë e saj të tretë, pjesa e parë e programit u zhvillua në formën e panelit të diskutimi ku të ftuar ishin Prof. Dr. Gjergj Sinani, Universiteti i Tiranës i cili foli rreth temës “Liritë, të Drejtat e Njeriut dhe Demokracia”; Dr. Enri Hide, Universiteti Europian i Tiranës me temën e diskutimit “Liria e fesë dhe radikalizmi fetar” dhe Dr. Genti Kruja, Kolegji Universitar Bedër i cili foli mbi historinë e dialogut ndërfetar në Shqipëri.
Panel i dytë i diskutimit u fokusua tek çështjet juridike mbi lirinë fetare dhe demokracinë. Të ftuar ishin Renata Tokrri, Universiteti i Durrësit Aleksander Moisiu e cila foli mbi temën “Qasja dualiste ndaj lirisë së besimit në shoqëritë demokratike” dhe Msc. Bledar Uku, Kolegji Universitar Bedër mbi temën “Të drejtat dhe mbrojtjen e tij në Shoqërinë Demokratike”.
Programi vazhdoi më tej me punën në grup dhe prezantimin e projekteve nga studentët pjesëmarrës, mbi marrëdhënien shtet-fe në vendet si SHBA, Francë dhe Austri, dialogu ndërfetar ne Shqiperi, si dhe mbi lirinë e besimit dhe të shprehjes.
30 studentët pjesëmarrës në këtë program u vlerësuan me çertifikata si pjesëmarrës në Institutin e Lirisë Fetare dhe Demokracisë, i organizuar nga Kolegji Universitar Bedër dhe Fondacioni H. Ali Korça, me mbështetjen e Zyrës së Marrëdhënieve me Publikun në Ambasadën Amerikanë në Tiranë.
Dita e dytë e Institutit të Lirisë Fetare dhe Demokracisë
Instituti për Liri Fetare dhe Demokraci, vazhdoi sot punimet në ditën e dytë të saj, me trajnime, diskutime dhe vizita në institucione dhe objektet e kulteve.
Programi i ditës së sotme u hap me panelin e disutimit, mbi temën: "Feja, Liritë dhe Demokracia", në të cilën të ftuar ishin Dr. Geore Gaitanos përgjegjës i Departamentit të Teologjisë sociale, K.U. Logos; Don Arjan Dodaj Vikari i Përgjithshëm i Dioqezës Tiranë-Durrës dhe Dr. Atakan Derelioglu lektor në Departamentin e Shkencave Islame, K.U. Bedër.
Dr. Geore Gaitanos foli rreth perspektivës së Kishës Ortodokse në Lirinë Fetare dhe Demokracinë, dhe mbi rëndësinë e dinjitetit njerëzor me anë të së cilës njeriu mban përgjegjësi morale e ligjore.
"Burimi i fesë është ndërgjegjja."- tha z. Arjan Dodaj, në fjalën e tij mbi perspektivën e Kishës Katolike mbi Lirinë Fetare dhe Demokracinë. Ai vuri theksin se çdo njeri është i aftë nga natyra që ta njohë besimin.
Ndërsa Dr. Atakan Derelioglu në temën e tij mbi perspektivën e Islamit mbi Lirinë Fetare dhe Demokracinë u shpreh se shumëllojshmëria kulturore është po aq e nevojshme sa shumëllojshmëria njerëzore në natyrë. "Kurani e pranon diversitetin si dicka të nevojshme dhe na këshillon të sillemi mirë me të tjerët dhe të tregojmë respekt ndaj tyre." - tha z. Derelioglu.
Programi vazhdoi më tej me vizitën e studentëve në Qendrën për Luftën Kundër Dhunës dhe Ekstremizmit, në Katedralen Katolike dhe në Dioqezën ortodokse Durrës-Tiranë.
Nis programi treditor i Institutit për Liri Fetare dhe Demokraci
Instituti për Liri Fetare dhe Demokraci, i organizuar nga Kolegji Universitar Bedër dhe Fondacioni H. Ali Korça, me mbështetjen e Zyrës së Marrëdhënieve me Publikun në Ambasadën Amerikanë në Tiranë, çeli sot punimet e programit treditor, ku pjesëmarrës janë studentë nga universitete të ndryshme të vendit.
Në ceremoninë e hapjes, e cila u mbajt në ambientet e KU Bedër, merrnin pjesë personalitete nga fusha të ndryshme, të cilët e vlerësuan domosdoshmërinë e nismave të tilla, ku fokusi vendoset tek të rinjtë.
Në fjalën e hapjes, Rektori i KU Bedër, Prof. Dr. Gjana, falënderoi të pranishmit që iu përgjigjen ftesës, si dhe vlerësoi mbështetjen e dhënë nga Departamenti Amerikan i Shtetit për nisma të tilla. Prof. Gjana theksoi se harmonia fetare në Shqipëri është një lehtësim për të gjitha plagët me të cilat përballet ende sot shoqëria jonë. Ai theksoi faktin se Shqipëria i ka zgjidhur me kohë çështjet që lidhen me dialogun dhe lirinë fetare, duke u bërë një shembull edhe për vendet e tjera të Europës dhe më gjerë.
Zv/Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Prof. Vasilika Hysi, i bëri apel të rinjve të pranishëm, se janë ata që mund të kontribuojnë më shumë për t’i thënë jo gjuhës së urrejtjes, duke promovuar modelet më të mira. “Edukimi është rruga më e mirë për t’i thënë jo fenomeneve që nxisin urrejtjen dhe luftën”, theksoi znj. Hysi, duke premtuar se Kuvendi i Shqipërisë do të punojë më fort për të hartuar ligje më të mira dhe të parashikojë buxhete të mjaftueshme për një arsimim të mirë. Ajo i ftoi të rinjtë e pranishëm në Institutin për Liri Fetare dhe Demokraci në një seancë dëgjimore në Kuvend, për të promovuar modelet më të mira të harmonisë dhe dialogut ndërfetar.
Presidenti i Fondacionit “H. Ali Korça”, Skënder Bruçaj, në fjalën e tij u fokusua tek e drejta e lirisë së besimit dhe ushtrimit të tij. “Sipas fesë Islame, Zoti na ka lënë të lirë të zgjedhim besimin, duke u bazuar tek ndërgjegjja”, theksoi z. Bruçaj, duke shtuar se në fe nuk ka detyrim për përzgjedhjen e besimit.
Zyrtari për të Drejtat e Njeriut në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara, Ian Crawford, u kujtoi të pranishmëve se për pesëqind vjet, shqiptarët, myslimanë dhe krishterë, kanë bashkëjetuar në harmoni. “Nuk ka qenë thjesht tolerim ndaj njëri-tjetrit; ju e keni dashur dhe respektuar njëri-tjetrin. Për një gjysmë mijëvjeçari, ju keni qenë shembull për marrëdhëniet ndërfetare jo vetëm në rajon, por edhe në botë”, tha z. Crawford.
Zv/ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, hodhi idenë e bashkëpunimit mes studentëve të teologjisë, për të kontribuar në rritjen e rolit të familjes. “Ne si shqiptarë gjërat që kemi duhet t’i çmojmë. Aty ku është e nevojshme duhet të ndërhyjmë edhe për përmirësime”, vuri theksin z. Gogu, duke shtuar se e drejta e besimit është e patjetërsueshme dhe njeriu lind me të.
Punimet vazhduan më tej me kumtesat e të ftuarve të tjerë. Para studentëve referuan Znj. Loreta Aliko, Kryetare e Komitetit të Kulteve; z. Agron Sojati, drejtor i Qendrës për Luftën Kundër Dhunës dhe Ekstremizmit; z. Besnik Mustafaj, ish-ministër i Jashtëm.
Instituti për Liri Fetare dhe Demokraci do të vazhdojë punimet edhe për dy ditët në vazhdim, ku krahas diskutimeve dhe trajnimeve me studiues të njohur të fushës, janë parashikuar edhe aktivitete për njohjen e vlerave të harmonisë fetare në Shqipëri, si dhe vizita nëpër objektet e kulteve në Tiranë.
Prezantohet në Beder, revista Pasqyra e t'rrëfyemit
Departamenti i Shkencave të Komunikimit, zhvilloi takimin me studiuesin, botuesin dhe shkrimtarin Behar Gjoka.
Takimi u bë në kuadër të prezantimit të revistës kulturologjike “Pasqyra e t’rrëfyemit” e cila botohet nga Qendra e Studimeve Letrare “Pjetër Budi”.
Z. Gjoka prezantoi numrin e radhës së revistës, e cila i është kushtuar tërësisht poetit lirik, Frederik Rreshpja. Ky numër reviste përmbledh punimet e Konferencës kushtuar Rreshpes, organizaur nga Qendara e Studimeve Letrare “Pjetër Budi”.
Diskutimet u përqëndruan në rolin që ka lexuesi për të rrokur dhe ndërtuar kuptimin në raport me tekstin; letërsinë si shenjë, art apo mjet komunikimi; kritikën dhe rolin që ka ajo në zhvillimin e letërsisë.
Z.Gjoka theksoi rolin që ka kritika në zbulimin e shkrimtarëve të rinj, orientinmet në lexime si edhe për zhvillimin e kulturës në tërësi. Më tej ai u ndal në gjendjen aktuale të shtypit kulturologjik në vendin tonë, duke trajtuar problematikat dhe mundësitë.
Më pas diskutimet vazhduan mes studentëve dhe z. Gjoka, mbi pritjet e letërsisë Shqipe dhe mbi rëndësinë e leximit, si edhe për rolin që luan gazetari i kulturës në orientimin e audiencës.
Sfida e profesionit të avokatit në SHBA
Z. Alush Kola, avokat shqiptaro-amerikan, ishte i ftuari i radhës i ciklit të aktiviteteve “Brownbag Seminars”, organizuar nga Departamenti i Drejtësisë në KU Bedër. Zoti Alushi, drejtor i zyrës ligjore “Al Kola”, pati një bashkëbisedim me studentët e drejtësisë rreth temës “Sfida e profesionit të avokatit në SHBA”.
“Profesioni i avokatit është profesion i nderuar dhe shumë i rëndësishëm për njerëzit, pasi avokati u jep shpresë të gjithë klientëve, të cilët drejtohen në momentet që përballen me konflikte apo shkelje të ndryshme”, theksoi z. Kola.
Ndër të tjera, ai shpjegoi eksperiencën si avokat, duke dhënë shembuj konkretë të çështjeve që ka mbrojtur përpara gjykatave amerikane duke i njohur studentët në praktikë edhe me diferencat që ekzistojnë mes sistemeve “Civil Law”, ku vendi ynë bën pjesë, dhe “Common Law”. Z. Kola u përcolli studentëve këshilla dhe mesazhe të rëndësishme me qëllim që ata t’i kenë parasysh në të ardhmen kur të ushtrojnë profesionin e avokatit apo edhe profesione të tjera.
Bashkëbisedimi me studentët vazhdoi më tej në formën e pyetje–përgjigjeve, ku z. Alush Kola analizoi fushat në të cilat studentët treguan interes.