Ndahen çmimet fituese të Konkursit të 3-të mbi Esenë për të Rinjtë në Gjuhën Angleze
Departamenti i Gjuhës dhe Letërsisë Angleze në Universitetin Bedër, në bashkëpunim me Këshillin Britanik në Shqipëri, zhvilluan sot ceremoninë e ndarjes së çmimeve fituese për Konkursin e tretë mbi Esenë për të Rinjtë në Gjuhën Angleze, (YCEEC).
Pas 3 edicioneve të suksesshme të kësaj platforme, konkursi konfirmon sërish objektivin e tij, atë të promovimit të të lexuarit, të shprehurit dhe krijimtarisë së të rinjve, duke vlerësuar kështu përsosmërinë e zhvillimit të frazës dhe imagjinatës.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Përgjegjësi i Departamentit të Gjuhës dhe Letërsisë Angleze, Dr. Mahmut Terci, pohoi se studentët e sotëm janë politikëbërësit e së ardhmes. Duke promovuar aftësitë organizative dhe ndarjen e përvojave të tyre me njëri-tjetrin, çdo ditë e më shumë ata tregojnë potencialin e vet si në vendin e tyre ashtu dhe jashtë tij.
Tema këtij edicioni ishte: "Një nga të drejtat themelore të njeriut është përftimi i informacionit sa herë nevojitet. Megjithatë, kjo nevojë shfaqet disi e tepruar në botën e sotme duke rezultuar në efekte anësore të një informacioni të papërshtatshëm, të tepërt dhe të pavlerë i njohur edhe si Ndotje e Informacionit e cila mund të ketë efekt negativ në veprimtarinë tonë të përditshme dhe të manifesohet në një morì formash të ndryshme."
Kështu vendi i parë, i dytë dhe i tretë u fituan përkatësisht nga nxënësit: Joana LAME, Pegi KOÇI dhe Fiona MANJA të cilat morën si çmim nga një iPad. Ndërsa pjesëmarrësit e tjerë u vlerësuan me certifikata pjesëmarrjeje.
Zhvillohet simpoziumi shkencor me temë: “Krijimi dhe njeriu si kujdestar i tij”
Departamenti i Shkencave Islame në Universitetin Bedër në bashkëpunim me Institutin Teologjik Katolik në Seminarin Ndërdioqezian, Shkodër dhe Akademinë Teologjike Orthodhokse, Durrës, organizuan simpoziumin shkencor me temë: “Krijimi dhe njeriu si kujdestar i tij”
Punimet e këtij aktiviteti u përshëndetën nga Dekani i Akademisë Teologjike Orthodhokse Hirësi Nikolla Hyka, rektori i Universitetit Bedër Prof. Dr. Ferdinand Gjana, Drejtori i Institutit Teologjik Katolik Atë Mario Imperatori, si dhe peshkopi i Kishës Ortodokse Shqiptare të Amerikës në Boston, Hirësi Ilia.
Pas fjalës përshëndetëse të të lartëpërmendurve aktiviteti vazhdoi më tej me referimet e z. Veton Tulla, pedagog në Departamentin e Shkencave Islame në Universitetin Bedër, i cili referoi mbi temën: “Krijimi është kryeargumenti i ekzistencës së Zotit”, z. Lorenzo Rosseti, pedagog në Institutin Teologjik Katolik me temë “Kujdesja e natyrës për një përparim të vërtetë”, si dhe z. Natan Hoppe, pedagog në Akademinë Teologjike Ortodokse me temë “Krijmi, kungim me Zotin”.
Në këtë aktivitet të përbashkët merrnin pjesë gjithashtu edhe Prof. Dr. Ajhan Tekinesh, dekan i Fakultetit të Shkencave Humane në Universitetin Bedër, Dr. Genti Kruja, pedagog në Departamentin e Shkencave Islame & Drejtor i Kulturës dhe Dialogut Ndërfetar në KMSH, Dr. Atakan Derelioglu, përgjegjësi i Departamentit të Shkencave Islame në Universitetin Bedër, si dhe pedagogë e studentë nga të tre shkollat teologjike.
Pas referimeve, ishte radha e studentëve të pranishëm nga të 3 institucionet të cilët me pyetjet e drejtuara referuesve i dhanë një formë interaktiviteti simpoziumit në fjalë.
Ky organizim vjen pas një fillimi të një bashkëpunimi akademik midis shkollave të larta teologjike, si seminare dhe leksione të hapura me studentët e secilës shkollë dhe së fundmi edhe simpoziumi “Liria e besimit dhe dialogu ndërfetar në Shqipëri”, organizuar para disa kohësh nga tre institucionet e larta teologjike, në ambientet e Universitetit Bedër.
Zhvillon punimet Konferenca e 4-rt Studentore në Drejtësi me temë: “Ligji dhe Shoqëria”
Klubi studentor “Bedër Law Academy” organizoi për të katërten herë radhazi Konferencën studentore me teme “Law and Society”.
Punimet e kësaj konferencë u përshëndetën nga Kryetarja e Grupit Parlamentar për Shëndetësinë dhe Çështjet Sociale, znj. Albana Vokshi. Në fjalën e saj, znj. Vokshi vlerësoi iniciativën e të rinjve në organizimin e një eventi të tillë shkencor në rang studentor. Sipas saj, me qëllim ruajtjen e balancave në shoqëri është i domosdoshëm jo vetëm hartimi i ligjeve të mira por edhe zbatimi i tyre nga individë të përgjegjshëm.
Konferenca mblodhi studentë nga disa universitete të ndryshme në vendin tonë, të tillë si: Luigj Gurakuqi Shkodër, Universiteti i Tiranës, Universiteti Europian i Tiranës etj.
27 kërkues të rinj, parqitën temat e tyre përballë një jurie të përbërë nga pedagogë dhe specialistëtë të fushës në Bedër. U vlerësua me çmimin e parë, studenti Albi Çela, ndërsa çmimi i dytë shkoi për studenten Sonila Rrahmani, ndërsa tre çmimet e treta u fituan përkatësisht nga studentët: Ilmi Leka, Ornela Bego dhe Bora Kola.
Ky është forumi i parë studentor në Shqipëri, ku studentët prezantojnë dhe diskutojnë mbi zhvillimet, trendet dhe shqetësimet aktuale, sfida praktike të hasura dhe zgjidhje të adoptuara në ligj dhe shoqëri.