Zhvillohet Programi Trajnues për mësuesit e gjuhës angleze
Departamenti i Gjuhës dhe Letërsisë Angleze në Kolegjin Universitar Bedër, në bashkëpunim me Drejtorinë Arsimore Rajonale Tiranë, zhvilluan Programin Trajnues për mësuesit e gjuhës angleze të shkollave 9-vjeçare dhe të mesme të kryeqytetit.
Përgjegjësi i Departamentit, Dr.Isa Erbas, në hapje të trajnimit falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen dhe theksoi rëndësinë që kanë trajnime të tilla për mësuesit, pasi roli i tyre është shumë i rëndësishëm në edukimin e brezave të rinj.
“Ky është viti i dytë që departamenti ynë zhvillon trajnime për mësuesit e anglishtes, duke ditur rëndësinë që ka përvetësimi i metodave të reja në fushën e mësimdhënies”, u shpreh ai.
Znj. Fozilet Simoni, specialiste e kurrikulës dhe cilësisë për gjuhët e huaja në DAR Tiranë, gjatë fjalës së saj shprehu rëndësinë që luajnë trajnime të tilla në zhvillimin e mëtejshëm të aftësive profesionale tek mësuesit e gjuhës angleze. Ajo vlerësoi Kolegjin Universitar "Bedër" për organizimin e trajnimeve të tilla për të dytin vit rresht.
Paneli i referuesve përbëhej nga Fozilet Simoni, Tidita Abdurrahmani, Elsa Lici dhe William K. Martin, të cilët trajtuan për të pranishmit temat: “Vlerësimi i të nxënit të nxënësve”, “Leximi digjital në mësimdhënie” dhe “Si të jesh një mësues i mirë”.
Departamenti i Gjuhës dhe Letërsisë Angleze organizon per të disatën herë aktivitete me natyrë të tillë, si një mundësi e mirë për formimin e vazhdueshëm të mësuesve.
"Ditët e informimit të maturantëve"
Me organizim nga Drejtoria Arsimore Rajonale Tiranë, zhvillohet aktiviteti "Ditët e informimit të maturantëve", ku të gjithë maturantët e gjimnazeve publike dhe private kanë mundësinë të njihen me degët, programet e studimit dhe kriteret e IAL-ve publike dhe private.
Përgjatë 2 javëve, në mjediset e palestrës së shkollës "Qemal Stafa", e pranishme do të jetë edhe stenda e Kolegjit Universitar “Bedër”, ku të gjithë maturantët e interesuar kanë mundësinë të marrin çdo informacion të nevojshëm rreth degëve, tarifave, mundësive të përfitimit të bursave etj.
Ju mirëpresim, çdo ditë nga data 19.02.2018 deri më 02.03.2018, ora 14:00 - 18:00!
Studentët e Drejtësisë organizojnë "Gjyq Stimulues"
Në kuadër të lëndës “Sisteme Ligjore të Krahasuara”, studentët e vitit të tretë bachelor të Departamentit të Drejtësisë, organizuan një gjyq simulues me qëllim zbatimin në praktikë të leksioneve që marrin në klasë dhe përshtatjen e tyre me situatat e botës reale.
Gjykimi nga një gjyqtar dhe gjykimi i jurisë, është një nga dallimet kryesore të Civil Law dhe Common Law, prandaj është e rëndësishme të kuptohen dallimet midis tyre në mënyrë që të kuptohet më qartë dhe mënyra se si funksionojnë këto dy sisteme ligjore. Gjyqi simulues përmbante pjesën më të madhe të elementeve të një gjykimi real, duke përfshirë trajtimin e dëshmitarëve dhe dëshmive, si dhe dhënien e argumenteve përpara një jurie, e cila do të japë verdiktin përfundimtar.
Nëpërmjet këtij projekti studentët patën mundësi të shikojnë në praktikë, mënyrën se si të argumentohet në rastet përpara një jurie dhe të kuptojnë mënyrën se si funksionon gjykimi me juri. Gjyqi simulues u organizua me mbështetjen e studentëve nga Departamenti i Shkencave Islame, Departamenti i Gjuhës dhe Letërisë Angleze, Departamenti i Shkencave të Edukimit dhe Departamenti i Shkencave të Komunikimit, studentët e të cilëve ishin anëtarë të jurisë gjykuese.
Në fund të gjyqit simulues, anëtarët e jurisë pas një diskutimi të gjatë dhanë edhe verdiktin përfundimtar mbi rastin e trajtuar.
Klubi studentor “Mesazhi i jetës” organizon seminarin "Kur librat flasin" VI
Departamenti i Shkencave Islame në bashkëpunim me klubin studentor “Mesazhi i Jetës” në kuadër të vazhdimit të ciklit të seminareve “Kur librat flasin”, zhvilluan ditën e sotme, takimin e gjashtë, ku kanë diskutuar rreth veprës “Tre elementët e strukturës së Fesë Islame” me të ftuar z. Xhemal Balla dhe Dekanin e Fakultetit të Shkencave Humane Prof. Asoc. Dr. Rahim Ombashi.
Gjatë aktivitetit, nën moderimin e studentit Abdullah Bulku, Prof. Asoc. Dr. Rrahim Ombashi bëri një prezantim të veprës dhe me korpusin fetar, kulturor e shkencor që do mund të gjenim në këtë vepër.
Ndërkohë që i ftuari i këtij aktiviteti z. Xhemal Balla, bëri një analizë të përgjithshme të veprës si dhe foli më gjërë rreth tre elementeve të Fesë Islame, siç janë Islami, Imani dhe Ihsani. Ai foli edhe për shkaqet që e kishin shtyrë deri në realizimin e kësaj vepre dhe nevojën e shoqërisë sonë për një vepër të tillë. Libri është i ndërthurur me një pasuri argumentash sa nga burimet bazë të fesë (Kurani dhe Suneti), ashtu edhe nga shkenca dhe historia. Metoda me të cilën autori e prezantoi veprën është e atillë sa libri nuk është synuar vetëm në përmbushjen e nevojave të besimtarve myslimanë, por ai u drejtohet edhe atyre që duan ta studiojnë apo të njihen me argumentet e besimit Islam. Ndërkohë që Z. Balla ftoi të gjithë studentët e Departamentit të Shkencave Islame të shfrytëzojnë materialet e këtij libri por edhe të zgjerojnë hulumtimet e tyre drejt kërkimeve shkencore në të ardhmen.
Cikli i seminareve “Kur librat flasin” do të vazhdojë gjatë javëve në vijim me të ftuar të tjerë, të cilët do të analizojnë dhe bashkëbisedojnë me studentët për një sërë veprash të autorëve të ndryshëm.
"Marrëdhënia e medias me audiencat në epokën digjitale"
Departamenti i Shkencave të Komunikimit në Kolegjin Universitar "Bedër" organizoi ditën e djeshme workshop-in me temë "Marrëdhënia e medias me audiencat në epokën digjitale".
Për të diskutuar në panel morën pjesë Monika Stafa, Kryetare e Këshillit të Ankesave në AMA (Autoriteti i Mediave Audiovizive); Thanas Goga, ekspert i matjes së audiencave dhe profesor në Universitetin e Tiranës; Aleksandër Çipa, Kryetari i Unionit të Gazetarëve; Dr. Erlis Çela, përgjegjës i Departamentit të Shkencave të Komunikimit në Kolegjin Universitar Bedër; Dr. Edlira Mali, lektore pranë të njëjtit departament, si dhe Doc. Dr. Ramadan Çipuri, lektor në Departamentin e Gazetarisë dhe Komunikimit në Universitetin e Tiranës.
Gjatë workshop-it panelistët diskutuan në lidhje me audiencat në epokën dixhitale, ndërtimin e një tregu mediatik, etikën dhe deontologjinë e mediave në Shqipëri si dhe për sfidat e gazetarit përballë multimedialitetit në ditët e sotme.
Z. Thanas Goga u ndal në rëndësinë që ka ndërtimi i një modeli të gjithë pranuar dhe transparent për matjen e audiencave. Ndërsa Znj. Stafa u shpjegoi studentëve rolin e Këshillit të ankesave në përgjigjen që u jep reagimit të audiencave për përmbajtjen televizive.
Studentët e masterit në Shkencat e Komunikimit shprehën mendimet e tyre në lidhje me temën e workshop-it, si dhe diskutuan me të ftuarit për nevojat e zbatimit të etikës në media si dhe përmirësimin e kushteve të punës së gazetarëve. Një theks i veçantë u vu në mungesën e statistikave të besueshme për matjen e audiencës si dhe nevojën e studimeve mediatike që do t’i vinin në ndihmë AMA-s për të ndërmarrë hapa konkretë në lidhje me rregullimin e tregut mediatik.