Zhvillohet ceremonia e hapjes për vitin e ri akademik 2017 - 2018
Ceremonia e hapjes për vitin e ri akademik 2017-2018
Kolegji Universitar Bedër zhvilloi sot ceremoninë e mirëseardhjes të organizuar për vitin e ri akademik, ku të pranishëm ishin stafi akademik dhe administrativ i institucionit, Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Z.Skender Bruçaj, prindër si dhe studentët e rinj dhe ata që vazhdojnë studimet aktualisht.
Rektori i institucionit Prof. Dr. Ferdinand Gjana, gjatë fjalës së tij përshëndetëse, pasi uroi të pranishmit bëri një rezyme të shkurtër të 7 viteve aktivitet të institucionit që ai drejton, duke theksuar cilësinë e studentëve të diplomuar ndër vite si një ndër arritjet më të mëdha të institucionit .
“Arritjet tuaja në këto 3 vite nuk janë sukses vetëm i juaji por janë njëkohësisht sukses edhe për ne, pasi një ndër gjërat që ne krenohemi janë studentët e aftë profesionalisht që nxjerrim në tregun e punës. K.U Bedër në këto 7 vite aktivitet, e ka treguar se në misionin e tij për arsimimin e brezave të rinj në vendin tonë, sasia ecën në raport të drejtë me cilësinë. Urojmë t’iu shikojmë lart e më lart në aspektin profesional jo vetëm në Shqipëri, por edhe kudo në botë.”
Ceremonia vazhdoi më tej me fjalën përshëndetëse të Kryetarit të Komunitetit Mysliman, z.Skender Bruçaj, i cili u uroi studentëve një vit akademik sa më të suksseshëm dhe siguroi mbështetjen e vazhdueshme të Komunitetit Mysliman ndaj Kolegjit Universitar Bedër.
“Këto 3 vite që ju do të kaloni në këtë institucion janë të një rëndësie të veçantë pasi tani është koha e duhur që ju të ndërtoni themele të forta për të ardhmen tuaj profesionale. Sigurohuni ti shfrytëzoni sa më mirë mundësitë që Bedër ju ofron, në mënyrë që të hidhni hapa të shëndetshëm për të ardhmen tuaj.”- tha Z. Bruçaj gjatë fjalës së tij.
Më tej përshëndetjet dhe urimet vazhduan nga dekani i Fakultetit të Shkencave Humane, Prof. Dr. Asoc. Rahim Ombashi, Dr. William K. Martin pedagog në departamentin e Gjuhës dhe Letërsisë Angleze dhe nga studentja Klara Haxhiu përfaqësuese e senatit të studentëve.
Pas përfundimit të ceremonisë studentët e rinj u njohën me përbërjen e departamenteve përkatëse, me informacione bazë rreth universitetit si dhe me njësitë administrative e cila do të vazhdojë dhe ditën e nesërme.
Kolegji Universisitar Bedër ju uron suksese të gjithë studentëve që nisin sot rrugëtimin universitar!
Lancohet projekti i 100 bursave sociale të studimit
Kolegji Universitar Bedër, në bashkëpunim me Fondacionin Arsimor “Hafiz Ali Korça” fondacion ky i themeluar nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, zhvilluan sot ceremoninë e lancimit të projektit të 100 bursave sociale të studimit, projekt ky i cili u mundëson dhjetëra maturantëve të këtij viti akademik të studiojnë me bursë deri në 100% të tarifës vjetore të studimit në një nga degët që ky institucion ofron. Në këtë ceremoni, të zhvilluar në ambientet e “Tirana International Hotel”, ishin të pranishëm një numër i konsiderueshëm personalitetesh nga bota akademike, ajo e kulturës, artit, medias, biznesit, arsimit dhe e sporit. Përmendim këtu: Znj. Myfarete Laze, Z. Dritan Boriçi, Noizy (Rigels Rajku) Znj. Sabahete Vishnja, Znj. Briseida Mema, Z. Agron Tufa, Mishela Rapo, Z. Said Fishta etj. Drejtori i Fondacionit arsimor “Hafiz Ali Korça”, Z. Dritan Laçi, në fjalën e tij përshëndetëse tha se i gjithë qëllimi i këtij projekti është mbështetja e të gjithë atyre maturantëve të cilët për shkak të kushteve ekonomike, nuk kanë mundësi të vazhdojnë studimet universitare. “Ne nuk mund të pretendojmë një të ardhme të ndritur, nëse nuk u japim mundësi studentëve që të vazhdojnë universitetin”, tha ai gjatë fjalës së tij. Ndërsa rektori i Kolegjit Universitar Bedër, Prof. Dr. Ferdinand Gjana, pasi falenderoi të pranishmit për pjesëmarrjen e tyre në aktivitet, preku problematika të ndryshme të arsimimit të brezave të rinj në vendin tonë. Ndër të tjera ai u shpreh se: “Dikush lind i pasur, dikush lind i varfër, dikush në fshat dhe dikush në qytet. Askush nuk e ka në dorë diçka të tillë. Gjithkush i dorëzohet apo i përshtatet kësaj situate. Ne kemi një mundësi të mendojmë për të gjithë, me aq kapacitete sa kemi”. Më tej, Nënkryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë Z. Lauren Luli, shprehu gatishmërinë e plotë të institucionit që ai përfaqëson jo vetëm në mbështetjen e kësaj nisme por edhe në bashkëpunimin e mëtejshëm ndërmjet dy institucioneve në projekte që kanë në fokus arsimimin e brezave të rinj. Projektin e 100 bursave sociale të studimit e përshëndetën edhe këngëtarët me famë të njohur në vendin tonë si Znj. Myfarete Laze, Mishela Rapo, Noizy si dhe biznesmeni i njohur Z. Said Fishta, të cilët ndanë me të pranishmit mbështetjen dhe vlerësimin e tyre ndaj kësaj nisme të fondacionit dhe universitetit. Kolegji Universitar Berdër fton të gjithë maturantët e interesuar të bëhen pjesë e këtyre bursave duke aplikuar fillimisht në portalin e maturës shtetërore për një nga programet e studimit që ne ofrojmë.
Kolegji Universitar Bedër shpall listat e maturantëve fitues të raundit të parë të aplikimeve për vitin akademik 2017 – 2018
Pas përfundimit të afatit të intervistave, të zhvilluara në çdo program studimi ndërmjet maturantëve aplikantë dhe përfaqësuesve të departamenteve, Bedër shpall listat e fituesve për raundin e parë të aplikimeve në Drejtësi, Shkenca Komunikimi, Shkenca Islame, Gjuhë dhe Letërsi Angleze, Arsim Parashkollor dhe Fillor, Psikologji Këshillimi dhe Pedagogji, Gjuhë dhe Letërsi Turke.
Njoftojmë të gjithë kandidatët fitues se data 29 gusht 2017 shënon dhe nisjen e rregjistrimit në çdo program studimi ku janë shpallur fitues, ky afat përfundon më 11 shtator, pas kësaj date nuk mund të regjistroheni më.
Dokumentacioni i nevojshëm për rregjistrim vijon si më poshtë:
a) Dokument identifikimi (kartë identiteti ose pasaportë)
b) Fotokopje e noterizuar e diplomës së Maturës Shtetërore së bashku me certifikatën e notave.
c) 4 fotografi të vogla personale
d) Raport mjeko – ligjor
Kandidatët do të gjejnë emrat e tyre në listat e bashkëngjitura.
Drejtësi
Shkenca Komunikimi
Shkenca Islame
Gjuhë dhe Letërsi Angleze
Arsim Parashkollor dhe Fillor
Psikologji Këshillimi dhe Pedagogji
Gjuhë dhe Letërsi Turke
Shënim: Të gjithë kandidatët që dëshirojnë të studiojnë në një nga programet tona të studimit, por që nuk kanë aplikuar në raundin e parë ose nuk kanë rezultuar fitues, mund të aplikojnë në raundin e dytë, duke përzgjedhur departamentin që duan të studiojnë pranë Kolegjit Universitar Bedër si një nga 10 preferencat në formularin e aplikimit të raundit të dytë, formular ky i cili plotësohet nga data 15 – 22 shtator 2017.
Kontakt:
Tel: +355673427001 / +35542419222
Email: admissions@beder.edu.al
Ju mirëpresim!