Kolana “Zani i Naltë” në seminarin “Kur librat flasin” IV
Departamenti i Shkencave Islame në bashkëpunim me klubin studentor “Mesazhi i Jetës” në kuadër të vazhdimit të ciklit të seminareve “Kur librat flasin”, kanë zhvilluar ditën e sotme me dt. 17 janar 2018, takimin e katërt, ku kanë diskutuar rreth veprës së Kolanës “Zani i Naltë” (1923-1939) me të ftuar Dekanin e Fakultetit të Shkencave Humane Prof. Asoc. Dr. Rahim Ombashi. Gjatë aktivitetit, nën moderimin e kryetarit të klubit “Mesazhi i Jetës”, studentit Haki Sahitaj, Përgjegjësi i Departamentit të Shkencave Islame Dr. Genti Kruja dhe profesor Ombashi bashkëbiseduan me studentët rreth veprës Kolana “Zani i Naltë”.
Dr. Genti Kruja paraqiti një përmbledhje të përgjithshme të historikut të revistës, artikujve të fushave të ndryshme të Shkencave Islame dhe Sociale. Ai foli gjithashtu për penat e shquara të kësaj reviste nga dijetarët myslimanë shqiptarë të viteve 20-30 te shek. XX, si dhe për mesazhet akoma aktuale, që përcjell edhe sot pas 95 vitesh nga themelimi i saj.
Ndërkohë që i ftuari special i këtij aktiviteti Prof. Asoc. Dr. Rahim Ombashi, bëri një analizë të përmbajtjeve të revistës, duke theksuar rëndësinë, që ajo kishte dhe ka për komunitetin mysliman të shqiptarëve në të gjitha trojet dhe në veçanti për vlerat e ruajtura të Gjuhës Shqipe. Ndërkohë ai ftoi të gjithë studentët e Departamentit të Shkencave Islame të shfrytëzojnë materialet e revistave “Zani i Naltë” për të mbështetur kërkimet e tyre shkencore në të ardhmen. Në këtë aktivitet ishin të pranishëm pedagogë dhe studentë të Departamentit të Shkencave Islame.
Cikli i seminareve “Kur librat flasin” do të vazhdojë gjatë javëve në vijim me të ftuar të tjerë, të cilët do të analizojnë dhe bashkëbisedojnë me studentët për një sërë veprash të autorëve të ndryshëm.
Plani i ri strategjik i institucionit
Në datën 5.1.2018, në ambientet e Senatit Akademik, grupet e punës mbi hartimin e planit strategjik 2017-2022 prezantuan draftet e hartuara, lidhur me cilësinë e edukimit, kërkimin shkencor dhe inovacionin, jetën studentore, të diplomuarit dhe promovimin e institucionit, impaktin dhe përgjegjësinë sociale, stafin, financat dhe infrastrukturën. Të pranishëm ishin Komisioni mbi hartimin e Planit Strategjik, rektori i kolegjit Prof. Dr. Ferdinand Gjana dhe stafi akademik.
Analiza e përgjithshme e departamenteve
Njësitë akademike të Kolegjit Universitar “Bedër”, në datën 4.1.2018, në ambientet e Senatit Akademik, zhvilluan analizat vjetore, lidhur me aktivitetin njëvjeçar të tyre. Përgjegjësit e këtyre njësive prezantuan aktivitetin e njësive gjatë këtij vitit akademik, si dhe planet për të ardhmen, të para dhe në kuadër të hartimit të planit të ri strategjik institucional, 2017-2022.
Në datën 12.1.2018, po në ambientet e Senatit Akademik, zyra e kërkimit shkencor, zyra e koordinimit të programeve master; zyra e zhvillimit të kurrikulave; zyra e marrëdhënieve ndërkombëtare bënë analizën vjetore, lidhur me aktivitetin e zyrës. Në takim u analizua puna njëvjeçare e zyrave, problematikat dhe planet/rekomandimet për të ardhmen.
Të pranishëm në këto analiza ishin rektori i kolegjit Prof. Dr. Ferdinand Gjana, administratori dhe stafi akademik.
Zhvillohet Simpoziumi i V-të Akademik Ndërfetar,
Më datë 14 dhjetor 2017, u zhvillua simpoziumi i pestë ndërfetar në fushën akademike midis përfaqësuesve universitarë të tri shkollave teologjike, të tre komuniteteve fetare në Shqipëri, Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar “Bedër”, Instituti Teologjik Katolik në Seminarin Ndërdioqezian “Zonja e Këshillit të Mirë”, Shkodër dhe Akademia Teologjike Ortodokse “Ngjallja e Krishtit”, Shën Vlash, Durrës, të cilët ishin edhe mikpritësit e simpoziumit të radhës. Delegacionet respektive u pritën fillimisht nga Dekani i Akademisë Teologjike Ortodokse, Hirësi Nikolla, stafi pedagogjik dhe studentë të kësaj akademie.
Më pas filloi punimet simpoziumi, i moderuar nga Hirësi Nikolla, ku referuan përfaqësues të tre institucioneve të larta arsimore. Në emër të Departamentit të Shkencave Islame, Bedër referoi rreth kësaj teme PhD. Cand. Hysni Skura, i cili foli rreth “Dashurisë Hyjnore në Islam”. Ndër të tjera ai u shpreh se: “Dashuria Hyjnore përfaqëson dëshirën dhe përkujdesjen e pakufishme të Krijuesit për krijesat e veta. Duke e parë dashurinë edhe si ndjenjë më të fuqishme universale njerëzore, dashuria në Islam shprehet me anë të dhembshurisë dhe mëshirës. Të shumta janë shenjat e dashurisë së Zotit për njeriun, si Krijimi i njeriut si mëkëmbës në tokë, krijimi në formë të përsosur dhe vlerësimi i njeriut mbi krijesat e tjera”. Referatin e tij z. Skura e mbylli me leximin e një lutjeje, ku theksoi edhe njëherë varësinë e njeriut nga Zoti, duke kërkuar prej Tij të mbushë zemrat e njerëzve plot me dashuri për Të dhe për njeri-tjetrin.
Referuesi i dytë ishte Dom Lorenzo Rosseti, meshtar dhe pedagog në Seminarin Ndërdioqezian, i cili prezantoi pikëpamjen romano-katolike rreth dashurisë. Ai theksoi se: “Perëndia në Dhiatën e Vjetër, përmes dërgimit të Urdhërimeve shpreh dashurinë e Tij për njeriun, se Ai kërkon sigurinë e tij. Urdhërimet sipas tij na drejtojnë drejt dy boshteve të dashurisë, atij vertikal drejt Dashurisë për Perëndinë dhe padyshim atij horizontal, të dashurisë për të afërmin.” Referati i tretë u mbajt nga z. Dhimitër Qosja, pedagog i Akademisë Teologjike Ortodokse, i cili theksoi se: “Dashuria është shoqëruesja e të gjitha veprimeve të Perëndisë në botë, të shprehura përmes Krijimit, jo nga nevoja, por nga liria, pikërisht dashuria e vërtetë është ajo që vjen nga liria. Zoti është dashuri, i cili e shpalos këtë pa rezervë.”
Në përfundim të tre referimeve pati diskutime dhe pyetje ndaj referuesve, ku pedagogë dhe studentë të tre palëve shprehen mendimet dhe komentet e tyre rreth temës së Dashurisë Hyjnore. Në këtë simpozium morën pjesë dhe Prof. Asoc. Dr. Rahim Ombashi, dekan i Fakultetit të Shkencave Humane, Dr. Genti Kruja, Përgjegjës i Departamentit të Shkencave Islame, Bedër, z. Dorian Demetja, Drejtor i Kulturës dhe Dialogut Ndërfetar në KMSH, të cilët edhe morën fjalën dhe diskutuan gjatë seancës së diskutimeve, si dhe gjithashtu morën pjesë pedagogë dhe studentë të Shkencave Islame, Bedër.