Zhvillohet programi artistik "Lajmëtari i fundit i së fshehtës"
Departamenti i Shkencave Islame në bashkëpunim me klubet studentore: “Oaze Shprese”, “Mesazhi i Jetës” dhe “Klubi i Muzikës”, organizuan një aktivitet në kujtim të lindjes së Profetit Muhammed a.s. Programi artistik ‘’Lajmëtari i fundit i së fshehtës’’ paraqiti një sërë pikash artistike, si lexim Kurani, këngë, poezi, pjesë teatrale etj.
Aktiviteti u hap me leximin e një pjese të Kuranit nga studenti i Shkencave Islame Fatijon Shemshedini. Më pas Msc. Hekuran Uzuni, pedagog pranë Departamentit të Shkencave Islame, në fjalën e tij përshëndetëse u shpreh se: “Dija është një nga trashëgimitë më të vlefshme që na kanë lënë profetët, dhe ne si kërkues të asaj dije duhet t’i japim hakun.”
Nën moderimin e studentëve Sefer Vrana dhe Enxhi Hasmeta programi vazhdoi me interpretimin e disa ilahive, poezive e pjesëve teatrale nga studentët e Shkencave Islame që pasqyronin kohën kur ka jetuar Profeti Muhamed a.s dhe përcollën disa mesazhe të vyera për të pranishmit.
I ftuar në program ishte edhe nënkryetari i Komunitetit Mysliman z. Laurel Luli, i cili falenderoi organizatorët dhe të pranishmit. Në fjalën e tij përshëndetëse ai u shpreh se: “Do të ishte mirë që jehona e zërit të profetit Muhammed a.s të vazhdojë akoma më tepër, të ngrihet lart, të zbukurohet, e të jetë më e pranishme në jetën tonë në të kundërt do të ishte një humbje më e madhe.” Ai theksoi faktin që aktivitete të tilla duhet të jenë më të shpeshta sepse në të tilla aktivitete ne bëjmë të mundur që të rikujtojmë rëndësinë e njohjes së profetëve.
Ndërsa dekani i Fakultetit të Shkencave Humane Prof. Dr. Asoc Rahim Ombashi duke falenderuar organizatorët për realizimin e këtij programi, theksoi se gëzime të tilla na bëjnë të ndihemi më të plotësuar shpirtërisht.
Në këtë aktivitet merrnin pjesë Dekani i Studentëve z. Kasim Ilhan, Përgjegjësi i Departamentit të Shkencave Islame Dr. Genti Kruja, drejtues të departamenteve të tjera si, Dr. Erlis Çela e Dr. Isa Erbas, si dhe pedagogë e studentë të shumtë nga KU Bedër.
Programi u mbyll me një interpretim të disa pjesëve të Mevludit nga Msc. Veton Tulla dhe studenti Abdullah Ziba.
Pas aktivitetit studentët e Departamenitit të Shkencave Islame organizuan një panair ushqimesh, të ardhurat nga shitja e të cilave do të shkojnë në ndihmë të familjeve të prekura nga përmbytjet.
Zhvillohet simpoziumi “Liria e besimit, e drejtë universale”
Me rastin e 27 vjetorit të zhvillimit të ceremonisë së parë Islame në vigjilje së rënies së sistemit komunist në vendin tonë, Departamenti i Shkencave Islame, organizoi një aktivitet kushtuar kësaj dite të rëndësishme historike.
Data 16 nëntor e vitit 1990, shënon një ngjarje me rëndësi të veçantë për të gjithë besimtarët shqiptarë, si rihapja e xhamisë së parë pas shumë vitesh privimi nga liria e besimit. Në këtë ditë H. Hafiz Sabri Koçi mbajti dhe fjalimin e parë në faljen e xhumasë, para mijëra të pranishmëve, duke u kthyer në një datë historike për mbarë shqiptarët.
Ky aktivitet përbëhej nga simpoziumi me temë, “Liria e besimit, e drejtë universale”, ku referuan studentë të Departamentit të Shkencave Islame, si dhe nga shfaqja e dokumentarit “H. Hafiz Sabri Koçi, pishtar i lirisë së besimit”.
Aktiviteti i moderuar nga studentja e Shkencave Islame, Zerina Kupe u hap me këndim Kur’ani nga studenti Abdullah Ziba. Më pas përshëndeti Dekani i Fakultetit të Shkencave Humane Prof. Asoc. Dr. Rahim Ombashi, i cili tha se kjo është një ditë feste për të gjithë besimtarët myslimanë, sepse falë asaj dite u hap porta drejt besimit.
I pranishëm në aktivitetin e organizuar ishte edhe nënkryetari i KMSH-së z. Lauren Luli, i cili gjatë fjalës së tij përshëndetëse theksoi se, falë kontributit të H. Hafiz Sabri Koçit në këtë ditë, u hapën dyert e shpirtit, dyert e gëzimit, që njerëzve t’u kthehej liria e besimit.
Pas tyre kumtesat e simpoziumit u mbajtën nga studentët e Shkencave Islame, Sonila Habili dhe Haki Sahitaj, të cilët referuan në lidhje me jetën dhe veprën e H. Hafiz Sabri Koçit dhe konceptet rreth lirisë së besimit. Në përfundim të aktivitetit Dr. Genti Kruja, Përgjegjës i Departamentit të Shkencave Islame dhe Msc. Veton Tulla, lektor në këtë departament, shpërndanë certifikatat e pjesëmarrjes për referuesit e këtij simpoziumi.
Në këtë aktivitet ishin të pranishëm nënkryetari i KMSH-së H. Lauren Luli, dekani i Fakultetit të Shkencave Humane Prof. Asoc. Dr. Rahim Ombashi, lektorë dhe studentë të Departamentit të Shkencave Islame, Bedër.
Të miturit në objektivin e medias
Departamenti i Shkencave të Komunikimit pranë Kolegjit Universitar Bedër në bashkëpunim me Autoritetin e Mediave Audiovizive dhe Albanian Center for Public Communication zhvilluan ditën e djeshme workshop-in me temë: "Të miturit në objektivin e medias". Për të diskutuar në panel ishin të ftuar Drejtori i Drejtorisë së Programeve në AMA (Autoriteti i Mediave Audiovizive) z. Arben Muka, korrespondentja e AFP-së (Agence France-Presse) në Shqipëri, znj. Briseida Mema, Korrespondenti i “The Associated Press” z. Llazan Semini, Kryetari i Unionit të Gazetarëve, z. Aleksandër Çipa, Koordinatori për Marrëdhënie me Publikun dhe Median në Fondin e Ballkanit Perëndimor, z. Alban Tartari, si dhe pedagogu e shkrimtari i njohur z. Agron Tufa. Gjatë workshop-it, nën moderimin e përgjegjësit të Shkencave të Komunikimit Dr. Erlis Çela, u diskutua mbi situatën aktuale në media të trajtimit të figurës së të miturve dhe programacionin që i dedikohet kësaj moshe. Zv. Dekani në Fakultetin e Shkencave Humane të Kolegjit Universitar Bedër, Dr. Ramadan Çipuri dhe z.Alban Tartari ndanë me studentët e masterit në Kolegjin Universitar Bedër eksperiencat dhe rezultatet gjatë punimit të këtij projekti në workshop-et e organizuara në disa nga qytetet e vendit tonë me gazetarët e mediave lokale. Gjithashtu u diskutua edhe në lidhje me ligjet aktuale dhe rolin e organizatave për trajnimin dhe vendosjen e rregullatorëve për mediat në lidhje me pasqyrimin e figurës së fëmijëve dhe standardet etike në televizion dhe media të tjera. Ky takim ishte dhe finalizim i projektit mbi “Etikën e raportimit rreth të miturve” të zhvilluar në disa qytete të Shqipërisë. Në përfundim të workshop-it studentët e masterit në Kolegjin Universitar Bedër ndanë edhe mendimet e tyre në lidhje me temën.
Blogeri Olti Curri i ftuar në ciklin e seminareve MarCom
Tradita e ciklit të seminareve MarCom organizuar nga Departameti i Shkencave të Komunikimit pranë Kolegjit Universitar Bedër këtë vit akademik hapi siparin e tij duke mirëpritur blogerin e mirënjohur z.Olti Curri.
Tema që Olti reforoi në këtë seminar ishte: "Angazhimi i Audiencave në Marketingun Dixhital". Biseda me studentët u përqendrua në metodat e përdorura në marketingun dixhital për tërheqjen dhe mbajtjen e audiencave nga mediat sociale, portalet, bloggeret, personazhet e ndryshëm.
Temat që u prekën gjatë bashkëbisedimit, pyetjeve të shumta nga studentët përfshinë ndryshimet e vazhdueshme në rrjetet sociale, trendet e fundit, mënyrën e menaxhimit të profileve dhe faqeve në rrjetet sociale për të siguruar sa më shumë klikime dhe ndjekës, influencën që ka bota virtuale tek brezi i ri sot si në mënyrën sjelljes, tek pasojat në përdorimin e gjuhës shqipe, rrezikun e mesazheve keqinformuese në facebook dhe nevojën për të qenë të rinjtë ata që drejtojnë jetën e tyre dhe jo shembujt në rrjete sociale apo në botën virtuale, deri tek tema sociale shumë të rëndësishme për zhvillimin e të rinjve të sotëm dhe influencën që ata mund të kenë në strukturimin e të ardhmes së vendit.
Si pasojë e interesit të lartë nga nga ana e studentëve dhe dëshirës së Oltit për të takuar të rinjtë studentë nga Kolegji Universitar Bedër, të gjithë ranë dakort për të zhvilluar takime të tjera të ngjashme në të ardhmen.