I kthyer tashmë në një traditë, u çel në ambientet e Pallatit të Kongreseve edicioni i 9-të i Panairit “Work & Study”, i organizuar nga Bashkia e Tiranës, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë si dhe Ministria e Arsimit dhe Sporteve.
Ky panair i cili do të zhvillohet përgjatë datave 28-29-30 mars 2018, është një eveniment ku shpalosen mundësitë më të mira për studim dhe kërkesat aktuale të tregut të punës, me pjesëmarrjen e mbi 60 kompanive, institucioneve të ndryshme dhe universiteteve, ndër to dhe Kolegji Universitar “Bedër”.
I pranishëm në ceremoninë e hapjes së panairit ishte Kryetari i Bashkisë së Tiranës z. Erion Veliaj, si dhe Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë z. Nikolin Jaka, personalitete këto të cilët mbajtën edhe fjalën e rastit gjatë hapjes së panairit.
Për tu informuar drejtpërsëdrejti rreth programeve tona të studimit, mundësive të studimit me bursë, programeve të shkëmbimit, kritereve të reja të regjistrimit në universitet apo procesit të aplikimit dhe gjithçka tjetër ju nevojitet, ju mirëpresim çdo ditë nga ora 09:00 deri në orën 21:00. Mos hezitoni të na vizitoni ne stendën tonë. #BederPromotionStand
Mbyllet me sukses fushata “Një libër më shumë për Preshevën”
Studentët e vitit të dytë të programit të masterit shkencor në Shkenca Komunikimi, Kolegji Universitar “Bedër”, mbyllën me sukses fushatën e tyre tremujore “Një libër më shumë për Preshevën”.
Të ftuar të veçantë të këtij aktiviteti ishin drejtuesit më të lartë të pushtetit lokal në zonat ku jetojnë shqiptarët në Serbi, konkretisht kreu i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Shukri Ymeri, nënkryetarja Ardita Sinani, kryetari i Komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi, si dhe përfaqësuesi i Komunës së Preshevës, Almir Shaqiri. Nuk munguan edhe përfaqësues të botës akademike, gazetarisë dhe shoqërisë civile.
Aktiviteti ishte ideuar në formën e një programi kulturo-artistik, ku pati performanca të ndryshme në balet, interpretim dhe këngë. Të pranishmit patën mundësi të ndiqnin dy dokumentare të përgatitur mbi zonat ku jetojnë shqiptarët në Serbi, si dhe ekspozuan mbi të gjitha punën e bërë në fushatën nga studentët, të cilët konfirmuan mbledhjen e 2 mijë librave në shqip, të cilat do të shkojnë për bibliotekat në Preshevë dhe Bujanoc.
Fushata “Një libër më shumë për Preshevën” i kaloi objektivat fillestare për mbledhjen e një mijë librave, falë kontributit të qytetarëve shqiptarë, shkollave dhe shtëpive botuese. Por mbledhja e dy mijë librave dhe dhënia e një mesazhi solidariteti dhe vëllazërie për shqiptarët në Serbi nuk ishte i vetmi lajm i mirë në këtë aktivitet, pasi rektori i Kolegjit Universitar “Beder”, Prof. Dr. Ferdinand Gjana ndau me të pranishmit vendimin e institucionit që ai drejton, për dhënien e 15 bursave studimi në vitin e ardhshëm akademik për studentët që vijnë nga Lugina e Preshevës.
Zyrtarët e lartë shqiptarë në Serbi, z. Shukri Ymeri dhe z. Shaip Kamberi shprehën falënderime të sinqerta për iniciativën e studentëve të Kolegjit Universitar “Bedër” për mbledhjen e librave shqip, duke e vlerësuar këtë si një nismë. Z. Ymeri dhe Kamberi e konsideruan një lajm të shkëlqyer vendimin për dhënien e 15 bursave të studimit nga Kolegji Universitar “Bedër” për nxënësit shqiptarë në Serbi dhe premtuan bashkëpunim edhe në të ardhmen me Kolegjin Universitar “Bedër”. Kreu i Komunës së Bujanovcit ftoi studentët e fushatës “Një libër më shumë për Preshevën” dhe drejtuesit e “Bedër” të vizitojnë këtë zonë.
Në fund grupi i studentëve që realizuan këtë fushatë dhe lektorja udhëheqëse Edlira Mali falënderuan të gjithë kontribuesit dhe lanë të hapur mundësinë që çdokush të vijojë të dhurojnë libra shqip për nxënësit në Luginën e Preshevës, të cilët prej vitesh vuajnë mungesën e teksteve shqip.
Studentët e K.U. "Bedër" pjesëmarrës në Jessup 2018
Konkursi Ndërkombëtar Philip C. Jessup International Law Moot Court Competition, nën administrimin e ILSA-s bashkon studentët e së Drejtes Nderkombetare nga i gjithë globi. Tashmë në vitin e tij të 59-të , Jessup është konkursi ndërkombëtar më i madh në botë për studentët e drejtësisë, me pjesëmarrës nga më shumë se 700 Universitete në mbarë botën. Raundet ndërkombëtare do të mbahen në 1 -8 prill 2018, në Hyatt Regency në Kapitol Hill, Uashington, DC.
Konkursi konsiston në një inskenim të çështjes me të cilën grupi i studentëve të drejtësisë Kolegji Universitar "Bedër" i përbërë nga : Albi Çela, Anjest Agushi, Ornela Bego, Thoma Kristo dhe Ermelinda Gjeci do të përfaqësojnë Shqipërinë në këtë edicion të kompeticionit.
Të gjendur përballë gjyqtarëve të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, studentët do të parashtrojnë argumentat e përgatitura rreth “Case Concerning the Egart and the Ibra” që përfshin tema nga vlefshmëria e një vendimi arbitrazhi ndërshtetëror, sovraniteti, cënimi i ujërave territoriale, regjimi i carmatosjes bërthamore, përdorimi i forcës, e drejta humanitare ndërkombetare etj. Ekipi ka hulumtuar dhe ka përgatitur argumentet thelbësore me gojë për të përfaqësuar çdo anë të mosmarrëveshjes.
Përpara nisjes për ne D.C studentët organizuan “Public Pleading”, ku përpara studentëve dhe trupit akademik të universitetit, paraqitën argumentat e tyre. Kjo në mënyrë që ekipi të përgatitet por dhe të kontribuojë në ruajtjen e traditës së Moot Court në Bedër.