Cikli i seminareve “Kur librat flasin”, i ftuar z. Xhemal Balla
Departamenti i Shkencave Islame në bashkëpunim me klubin studentor “Mesazhi i Jetës” dhe Komunitetin Mysliman të Shqipërisë, në kuadër të vazhdimit të ciklit të seminareve “Kur librat flasin”, zhvilluan ditën e sotme, më 30. 01. 2019 takimin e VIII, ku u zhvillua Promovimi i dy librave nga Botimet e KMSH-së Tefsiri i Sures “Fatiha” dhe Edukimi, Proces i Formimit të Njeriut si Qenie Njerëzore, me autor z. Xhemal Balla.
Aktiviteti u çel me fjalët përshëndetëse nga Dekani i Fakultetit të Shkencave Humane, Prof. Asoc. Dr. Rahim Ombashi, Përgjegjësit të Departamentit të Shkencave Islame, Dr. Genti Kruja, dhe Drejtorit të Kulturës dhe Arsimit në KMSH, z. Dorian Demetja. Në këtë aktivitet i ftuar special ishte z. Xhemal Balla, i cili dha informacion më të detajuar rreth punimit të tij dhe bashkëpunimit të frytshëm me Komunitetin Mysliman të Shqipërisë.
Gjatë këtij takimi u zhvillua një bashkëbisedim i frytshëm, ku si lektorët, ashtu edhe studentët shprehën eksperiencat, mbresat dhe pyetjet e tyre drejtuar të profesorëve të pranishëm në seminar rreth veprave që u promovuan si dhe rreth tematikave lidhur me to.
Brajan Sukaj, fitues në Panairin e Librit 2019, i ftuar në Bedër
Shkrimtari dhe fituesi i çmimit të panairit "Tirana 2019" me romanin “Ciklopi” Brajan Sukaj, ishte i ftuar nga Klubi i Librit në Kolegjin Universitar Bedër.
Takimi u hap nga pedagogu Agron Tufa, i cili bëri një panoramë të thukët të subjektit, tematikës ndërkohë që shprehu vlerësimin e tij për shkrimtarin e romanit.
“Dashuria amnore është e parëlindura, sublime dhe e aftë për çdo lloj sakrifice. Këtë sakrificë na e tregon përmes romanit”, tha Tufa.
Më tej u diskutuan vështirësitë e procesit të shkrimit, dilemat, dhe premisat që merr autori, ndërsa z. Sukaj e cilësoi romanin e tij si logjikë e letërsisë amerikane, "Show but don't tell", duke pasur parasysh që në roman gjërat shfaqen edhe pse nuk thuhen.
Z. Sukaj u shpreh se romani trajton tematikën e të ndryshmit që përjashtohet nga shoqëria. Ndërsa letërsinë e cilësoi si plotësuese e historisë mbi gjërat që ndodhin, kanë ndodhur ose kanë gjasë të ndodhin.
Në fund të takimit u zhvillua një bashkëbisedim me studentët të cilët kishin kuriozitet mbi tematikën e trajtuar në roman dhe stilin e shkrimit.
Edi Oga: Televizioni, diçka e bukur dhe spektakolare
Eksperti i komunikimit dhe gazetari Edi Oga ishte i ftuar në Kolegjin Universitar Bedër, në kuadër të ciklit të seminareve "MarCom". Në takimin me studentët e Departamentit të Shkencave të Komunikimit, ai foli në lidhje me eksperiencën e tij, ku vuri theksin mbi mënyrat e komunikimit në ambientet e televizionit.
Më tej theksoi se televizioni është mjeti më i mirë për të arritur disa qëllime që do t’i vlenin kombit, duke marrë shembull televizionin italian, i cili kultivoi shijet e teleshikuesve dhe u bë një model edhe për televizionin shqiptar.
“Televizioni është diçka e bukur, spektakolare dhe aftësia kryesore që vlen për t’u bërë pjesë e një televizioni është të qenit entuziast”, shtoi ndër të tjera z. Oga.
Në fund të takimit u shpreh rëndësia që kanë lajmet e mira për edukimin dhe kultivimin e shijeve të audiencës, ndërkohë që z. ai inkurajoi studentët që të vazhdojnë në rrugën e televizionit, duke përcjellë mesazhe pozitive dhe me vlerë për shoqërinë.
Zhvillohet konkursi: “Të kërcejmë mes valleve dhe melodive popullore shqiptare”
Në kuadër të fushatës “Ruaj Traditën, Festo Shqip”, studentët e vitit të dytë master në profilin Marrëdhënie me Publikun realizuan konkursin me temë: “Të kërcejmë mes valleve dhe melodive popullore shqiptare”.
Konkursi u hap me valltarët e ansamblit Trad Folk, ansambël i drejtuar nga koreografi Bujar Gorenca, pjesëmarrës në shumë koncerte kombëtare dhe ndërkombëtare, të cilët sollën një kolazh vallesh që përshkonte trojet shqiptare nga jugu në veri.
Grupi artistik i shkollës “Isa Boletini” konkurroi me vallen e Rrajcës dhe vallen e Tropojës. Lindita Kaimi dhe Ansambli Alba i drejtuar prej saj, sollën vallen e Tiranës dhe një valle me motive Veriu.
Gjimnazi “Besnik Hidri” solli pak hijeshi Tropoje, me një valle të kësaj treve. Ndër të tjera ansambli "Folk Alb", i drejtuar nga koreografi Avni Ndreu, kishte përgatitur valle që nga Çamëria deri në Rugovë. Konkursin e valleve e mbylli grupi "Zumba with Fatilda", grup i cili zbukuroi sallën duke shëtitur përmes valleve nga Tropoja në Çamëri.
Në përfundim të konkursit "Të kërcejmë mes valleve dhe melodive popullore shqiptare" u ndanë disa çmime, të ofruara nga sponsorët e këtij aktiviteti të studentëve të Kolegjit Universitar Bedër, të cilët ishin: Kinema Cineplexx, Agjencia Turstike “Magic M Travel”, Studio “Besnik Ramaj Photography”, “Infinit Gifts”, “Creative Event”, “Kamela”, “Auto Bebi”, “New Media Communications”, “Index”, “Creative Event”, etj.
Ndërkohë juria ishte e përbërë nga Genc Kastrati, koreograf pranë Ansamblit Kombëtar, Isida Mollaymeri, balerinë e Teatrit të Operas dhe Baletit, si dhe Liljana Cingu, valltare e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore.