Informacion i Përgjithshëm

SHKOLLA E LARTË “HËNA E PLOTË” (BEDËR)


Shkolla e Lartë “Hëna e Plotë” (Bedër), në prill të vitit 2011, filloi funksionimin e saj si institucion i arsimit të lartë. Ky institucion i arsmit të lartë ofron programe studimi të ciklit të parë dhe të dytë, sipas legjislacionit shqiptar. Shkolla e Lartë “Hëna e Plotë” (Bedër) ka 2 fakultete dhe 6 departamente, të cilat ofrojnë 7 programe studimi të nivelit të parë (bachelor) dhe 14 programe studimi të nivelit të dytë (master).

“Hëna e Plotë” (Bedër) ofron programe studimi në fushën e degëve sociale, duke synuar të sjellë një profil të qartë në tregun e arsimit të lartë shqiptar dhe atë ndërkombëtar. “Hëna e Plotë” (Bedër) është institucion jofitimprurës dhe si i tillë është bërë etalon risor për arsimin e lartë jopublik në Shqipëri. Universiteti është themeluar në statusin e një fondacioni  i cili është jofitimprurës dhe mbështet studentët e suksesshëm të cilët duan të vazhdojnë studimet e larta pranë këtij insitucioni.

Fokusimi i energjive, në aspektin e cilësisë akademike dhe institucionale, ka bërë që institucioni ynë të përcaktojë një strategji zgjerimi që nuk synon masivitetin. Kapaciteti maksimal parashikuar  i universitetit është 2000 studentë në të gjitha programet, për nivelet e studimit të parë, të dytë dhe të tretë (bachelor, master, dhe doktoraturë).

Synim i këtij institucioni është profilizimi  ndërkombëtar. Ky është një hap i rëndësishëm rajonal në arsimin universitar dhe kërkimin shkencor. Ndërkombëtarizimi i këtij institucioni rezulton në disa këndvështrime.

Shkolla e Lartë “Hëna e Plotë” (Bedër) ka si synim konsolidimin e një profili ndërkombëtar dhe organet drejtuese mendojnë se kontributi në këtë drejtim është një hap i rëndësishëm në shndërrimin e Tiranës, në një një qendër rajonale të arsimit universitar dhe kërkimit shkencor. Në dy vitet e aktivitetit është bërë e mundur afrimi i studentëve nga të gjitha trevat shqipfolëse në rajon dhe në diasporë, si dhe nga disa vende të Europës. Numri i shteteve nga vijnë studentët ka kapur shifrën 15 dhe synimi është që harta të zgjerohet në vitet e ardhshme. Profili ndërkombëtar është pasqyruar  gjithashtu edhe në përbërjen e stafit akdemik, si dhe në bashkëpunimet e vendosura nëpërmjet marrëveshjeve me universitete dhe kompani në disa vende të botës.