Qendra për Zhvillim të Qëndrueshëm dhe Inovacion

 
Përgjegjësi i Qendrës
 
Dr. Brikena Smajli [email protected]
 
Website i Qendrës
 
csdi.beder.edu.al

QENDRA KËRKIMORE ZHVILLIMORE PĒR ZHVILLIM TË QËNDRUESHËM DHE INOVACION (QKZHQI)

Qendra Kërkimore-Zhvillimore për Zhvillim të Qëndrueshëm dhe Inovacion (QKZHQI) në Kolegjin Universitar Bedër është njësi bazë e organizuar pranë Fakultetit të Teknologjisë dhe Biznesit.

Qendra kryen veprimtari kërkimore të pavarur dhe veprimtari kërkimore akademike në mbështetje të Fakultetit të Teknologjisë dhe Biznesit, si dhe të njësisë tjetër bazë të Kolegjit Universitar Bedër, Fakultetit të Drejtësisë dhe të Shkencave Humane. Qendra kryen veprimtari kërkimore-shkencore dhe zhvillimore në fushën e zhvillimit të qëndrueshëm dhe inovacionit. Në kuadrin e projekteve me karakter kombëtar dhe ndërkombëtar qendra kërkimore bashkëpunon me njësi të tjera kërkimore zhvilluese brenda dhe jashtë vendit.

Misioni i qendrës është të kontribuojë në vend dhe eventualisht rajon e më gjerë në arritjen e një zhvillimi të qëndrueshëm në të gjitha dimensionet e tij - ekonomik, social dhe mjedisor- duke përkthyer qëllimet e zhvillimit të qëndrueshëm në politika dhe zgjidhje kuptimplota përmes projekteve novatore afatgjata dhe afatshkurtra në fushën e teknologjisë, biznesit e më gjerë.

Nga ana tjetër, programet e inovacionit kanë për qëllim të rrisin potencialin krijues të studentëve, të kontribuojnë në zhvillimin e një kurrikule inovative të orientuar në projekte dhe të përshtatur për nevojat e shoqërisë dhe industrisë. Programe dhe projekte të tilla të parashikuara për t´u zhvilluar nga qendra, do të mundësojnë që studentët të lidhen me problemet e botës reale në të gjitha sferat dhe të kërkojnë zgjidhje novatore për problemet.

 

VIZIONI

Vizioni i qendrës është të shndërrohet në një model ekselence, lider në promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm dhe inovacionit duke u kthyer në vatër të kultivimit të vlerave më të mira në funksion të aftësimit multidisiplinar të profesionistëve të së ardhmes.

Qendra ka për synim të rrisë performancën e Kolegjit Universitar Bedër si dhe angazhimin e stafit akademik dhe studentëve duke mundësuar përfshirjen në sa më shumë projekte kërkimore shkencore në fushën e ekonomisë, shkencave humane dhe teknologjisë së informacionit dhe inovacionit, në bashkëpunim gjithnjë e më të madh me partnerë kombëtarë dhe ndërkombëtarë, duke optimizuar proceset e brendshme, sistemet e menaxhimit dhe kontrollit, kulturën e punës së stafit, si dhe duke ndërtuar platforma të ndryshme aplikative me impakt afatmesëm apo afatgjatë në dimensionet e zhvillimit të qëndrueshëm dhe inovacionit.

 

OBJEKTIVA TË PËRGJITHSHËM

  • Krijimi i një ambienti të përshtatshëm që inkurajon kërkimin shkencor, edukimin dhe trajnimet për zhvillim të qëndrueshëm dhe inovacion, zhvillim profesional tē vazhdueshëm të studentëve të KU Bedër, të të diplomuarve nga IAL të tjera apo individëve të interesuar për të marrë trajnime në shërbim. 

  • Organizimi i konferencave, simpoziumeve, workshopeve dhe seminareve në fushën e kërkimit shkencor në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. 

  • Menaxhimi i dy revistave shkencore me ISSN të institucionit BJES dhe BJH.

  • Organizimi dhe bashkëpunimi në programe kërkimore që synojnë vënien e institucionit në shërbim të shoqërisë.

  • Inkurajimi dhe mbështetja e projekteve me natyrë disiplinore dhe ndërdisiplinore mes fakulteteve dhe studentëve.

  • Publikimi i artikujve shkencorë të stafit akademik dhe studentëve sipas rregullave të vendosura nga revistat shkencore.

  • Ndjekja e procedurave të promovimit të titujve për stafin akademik. 

  • Zhvillimi i kërkimit shkencor si dhe nxitja e projekteve me në fokus stafin akademik apo studentët duke promovuar në këtë mënyrë kërkimin shkencor akademik,  të studentëve apo bashkëpunimin me partnerët nga tregu i punës.

  • Krijimi i lidhjeve të qëndrueshme me partnerë ndërkombëtarë. Kërkimi shkencor do të vihet në shërbim të rajonit dhe më gjerë duke realizuar projekte kërkimore të përbashkëta me njësitë vendore, universitete brenda dhe jashtë vendit.

 

OBJEKTIVA SPECIFIKË

  • Organizimi i trajnimeve, kërkimeve dhe zhvillimi i partneriteteve nē fushēn e shkencave kompjuterike, IT dhe teknologjisē, të biznesit apo të fushave të tilla të humaniteteve si drejtësia, edukim etj., të cilat përmbyllen me një certifikatë tē njohur në nivel kombëtar apo të cilat japin mundësinë e marrjes së një certifikate ndërkombëtare.

  • Vendosja e partneriteteve me qendra/institute të tjera, aktorët dhe grupet e interesit nga tregu i punës, bota e biznesit dhe tregu i IT dhe shkenca kompjuterike.

  • Sigurimi i një platforme për Kolegjin Universitar Bedër dhe partnerët e tij për të krijuar lidhje reciproke të dobishme për të nxitur dhe ndihmuar aktivitetet e inovacionit dhe për të vepruar si një katalizator dhe lehtësues për çështjet e zhvillimit të qëndrueshëm dhe si inkubator i ideve dhe projekteve mbi inovacionin në shoqëri.

  • Mbështetja e kërkimit shkencor të orientuar për të zgjidhur problemet e botës reale. 

  • Zhvillimi i ideve në aplikime inovativedhe lehtësimi i bashkëpunimeve dhe partneriteteve me industrinë, IAL-të dhe segmente të ndryshme të shoqërisë të cilat ndikojnë në futjen e risive të teknologjive dhe në ofrimin e zgjidhjeve për një zhvillim të qëndrueshëm.

Anëtarët e Këshillit të Qendres:

Nr. Titulli Emër Mbiemër e-Mail
1 Dr. Brikena Smajli bsmajli@beder.edu.al
2 Dr. Nihat Aksu naksu@beder.edu.al
3 Dr. Isa Erbas ierbas@beder.edu.al
4 Msc. Erilda Ajaz eajaz@beder.edu.al
5 Msc. Uran Kalej [email protected]
6 MSc. Bledar Uku buku@beder.edu.al
7 Msc. Ana Musaj amusaj[email protected]