Rreth Senatit

Senati është organ kolegjial vendimmarrës i Kolegjit Universitar "Bedër" dhe përbëhet nga rektori si kryetar i tij, zëvendës-rektorët, dekanët e çdo fakulteti dhe nga dy përfaqësues nga personeli akademik efektiv për çdo fakultet, i cili zgjidhet nga ana e këshillit të fakultetit përkatës, dekani i studentëve, si dhe një përfaqësues nga këshilli i studentëve me një mandat katër vjeçar.

Senati ka këto funksione dhe detyra:

1. Përcakton politikat e zhvillimit të institucionit, programon, bashkërendon, drejton dhe kontrollon veprimtarinë e mësimdhënies e të kërkimit shkencor dhe vlerëson efikasitetin e tyre;

2. Vendos për problemet më të rëndësishme mësimore dhe shkencore të këtij institucioni;

3. Garanton respektimin e parimeve të autonomisë dhe të mundësive të barabarta të lirisë akademike e të kërkimit, si dhe të drejtat e studentëve;

4. Miraton planin disavjeçar të zhvillimit të institucionit dhe programin vjetor të veprimtarive të tij, të paraqitura nga Këshilli i Administrimit të Kolegjit Universitar "Bedër", si dhe përcakton drejtimet kryesore të punës mësimore dhe kërkimore shkencore; 

5. Vlerëson dhe i propozon Këshillit të Lartë për miratim programet e reja të studimit, të kërkimit e zhvillimit, ndryshimet në programet e studimit ekzistuese dhe hapjen, bashkimin ose mbylljen e njësive kryesore dhe bazë të Kolegjit Universitar "Bedër";

6. I paraqet Këshillit të Lartë rekomandime për projektet, për programet e studimeve dhe të kërkimit shkencor, si dhe për ndryshimet e nevojshme strukturore për realizimin e tyre;

7. I bën kërkesë Këshillit të Akreditimit të Arsimit të Lartë për vlerësimin e cilësisë dhe akreditimin e programeve të studimit;

8. Përcakton normat vjetore të ngarkesës mësimore shkencore për personelin akademik;

9. Propozon për miratim statutin, rregulloren themelore të institucionit dhe rregulloret e udhëzimet e tjera të Kolegjit Universitar "Bedër", rekomandime pranë Këshillit të Lartë dhe të gjitha ndryshimet lidhur me to, në përputhje me aktet ligjore e nënligjore në fuqi; 

10. Përzgjedh anëtarët e Këshillit të Etikës dhe Disiplinës me propozim të rektorit;

11. Vendos krijimin e Njësisë së Sigurimit të Brendshëm të Cilësisë dhe miraton platformën e punës së saj;

12. Vlerëson, garanton dhe mban përgjegjësi për sigurimin e cilësisë akademike në institucion, në përputhje me standardet bashkëkohore;

13. Vlerëson veprimtarinë mësimore-kërkimore të personelit akademik;

14.  Siguron që kryerja dhe vlerësimi i të gjitha provimeve të bëhet në përputhje me standardet e institucionit, që garantojnë cilësinë dhe transparencën e duhur;

15.  Vendos përmbajtjen dhe formën e diplomës dhe të suplementit të diplomës, në përputhje me udhëzimet e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit;

16.  Miraton raportin vjetor të veprimtarisë mësimore-kërkimore, si dhe atë financiare, në një mbledhje të hapur për gjithë personelin akademik e administrativ dhe për studentët;

17. Merr vendime në lidhje me diplomimin e studentëve nga Kolegji Universitar "Bedër";

18.  Senati mblidhet në seanca të zakonshme 4 herë në vit por rektori mund ta mbledh atë në çdo kohë kur e çmon ose e gjykon të nevojshme.

 Në të gjitha rastet, vendimet merren me shumicë të thjeshtë votash përveç statutit i cili miratohet me 2/3 e votave dhe me pjesëmarrjen e të paktën 2/3 e anëtarëve.

Kancelari merr pjesë në mbledhjet e Senatit në cilësinë e relatorit.